Turistët vijnë nga e gjithë bota! Shifrat u rritën me 56 përqind
Gjatë katërmujorit të parë të këtij viti, gati 1.7 milionë shtetas të huaj hynë në territorin e Republikës së Shqipërisë për t’u numëruar si “turistë”.
Në krahasim me vitin paraardhës, numri i vizitorëve të huaj është rritur me 56%. Jo vetëm nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia e Mali i Zi, por vizitorët në vendin tonë vijnë dhe përtej oqeanit. Të tjerë zgjedhin të jetojnë këtu përfundimisht sic është ky çift nga SHBA.
Është një vend i lirë për të jetuar. Dhe një vend interesant. Na pëlqen të jetojmë në Shqipëri.
“Kemi tre vite që jetojmë këtu”, tha një turist.
“Në fillim të verës bëmë hiking në Valonë e Theth”, tha një turist.
“Kemi vizituar Apoloninë, Pogradecin, Sarandën, Ksamilin, Butrintin. Është bukur”, u shpreh turistja.
“Do të kujtojmë gjithmonë se sa miqësorë janë njerëzit”, tha turisti.
Gjithashtu dhe nga Spanja apo Izraeli, këta udhëtarë janë bërë kuriozë për të zbuluar më shumë nga historia e Shqipërisë, riviera, apo edhe kuzhina.
“Shqipërinë nuk e njihja, por kam mësuar që po ndryshon mirë, dhe kjo në të mirë të vendit tuaj. Ende nuk kemi shkuar në plazh. Kemi qenë në veri dhe kishte shumë njerëz. E shijova shumë gastroniminë tuaj’ tregon një turist.
“Kemi vizituar kalanë, operan, muzeun kombëtar, piramidën. Shpresojmë që nesër të arrijmë në plazhet tuaja”, tha një tjetër turiste.
Padyshim vendi fqinj Italia radhitet ndër të parët vende në listë me numrin më të lartë të turistëve, të cilët vijnë kryesisht për të shijuar rivierën tonë joniane.
“S’kam qenë kurrë më parë në Shqipëri. Kisha dëshirë ta vizitoja. Më pëlqen, përshtypjet janë pozitive. Do të shkojmë në Sarandë, Vlorë, Ksamil, e do shohim sa më shumë vende të mundemi në shtatë ditë”, u shpreh turisti.
Shqipëria dukshëm ka potencial për zhvillimin e turizmit, pasi është një vend ende me çmime të ulëta.