Varianti i ri Covid po shqetëson shkencëtarët
Një variant i ri Covid po shkakton shqetësim tek shkencëtarët për shkak të numrit të madh të mutacioneve të zbuluara në Londër dhe vende të tjera, si Danimarkë, SHBA, Izrael etj.
Varianti, i njohur si BA.2.86, është zbuluar përmes sekuencës gjenetike, edhe pse vetëm një pjesë e vogël e sekuencave të tilla janë raportuar deri më tani.
Për momentin, është e paqartë nëse BA.2.86 shkakton sëmundje më të rënda.
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se po e caktonte BA.2.86 si “variant nën monitorim” – ndërsa Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë raportuar gjithashtu se po e vëzhgojnë nga afër variantin pasi u zbulua në Michigan.
Përveç pyetjeve të pazgjidhura mbi ashpërsinë e variantit, është e paqartë nëse do të bëhet forma dominuese e virusit.
Ndryshimet e shumta gjenetike dhe zbulimi në disa vende i kanë vënë shkencëtarët në gatishmëri.
BA.2.86 është titulluar “Pirola” nga gjurmuesit e varianteve të koronavirusit. Disa ekspertë mendojnë se Pirola ka potencialin të bëhet varianti i radhës që OBSH e emërton me një shkronjë greke – me gjasë Pi, nisur nga emri Pirola.