Këshilli Prokurorial i Kosovës thirrje kryeministrit Kurti të përmbahet nga deklaratat “shantazhuese” ndaj prokurorëve!
Këshilli Prokurorial i Kosovës dënoi ashpër deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili akuzoi gjykatësit e prokurorët pёr mbështetje tё krimit. Dy ditë më parë, Kurti shënjestroi “elitën e vjetër e të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara pёr mbështetjen e krimit”. Ai foli për përpjekje për të kthyer “ish-sistemin e kalbur e tё korruptuar”, pas arrestimit të tre të akuzuarve për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.
Deklaratat e kryeministrit, Këshilli Prokurorial i quajti “tendencioze, të pavërteta e linçuese ndaj institucionit të Prokurorisë dhe prokurorëve”.
I bëjmë thirrje kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit.
Sulmi dhe linçimi i kryeprokurorit dhe prokurorëve me emra dhe mbiemra, janë shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit.
Dënojmë keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e kryeministrit dhe ministrave të tij. Këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë.
Një ditë më parë, Gjykata Themelore e Prishtinës i caktoi masën e paraburgimit 30 ditor, tre të arrestuarve. Mes tyre janë dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë e Ndërmarrësisë, Hafiz Gara, drejtor për Rezervat Shtetërore dhe Irfan Lipovica, drejtor në Departamentin për Integrimin Europian, i cili më parë ishte sekretar në këtë dikaster. Me ta u arrestua dhe sipërmarrësi Ridvan Muharremi.
Operacioni pasoi publikimin e disa audio-regjistrimeve nga portali “Nacionale”, ku gjatë një bisede, dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk arriti asnjëherë. E njëjta gjë dhe me rezervat e grurit.
Të premten në mbrëmje, Albin Kurti, mohoi dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
97% e vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërritur në Kosovë, përfshirë 99.5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë. Për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë detyrim të hapur për ta përmbushur kontratën dhe nëse nuk e bëjnë këtë, janë procedurat ligjore. Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi.
Arrestimet nxitën reagimin e opozitës që kërkoi përgjegjësi nga zyrtarët e lartë qeveritarë.