“Gjyqi i parë në TikTok”, Johnny Depp kundër Amber Heard: Si miliarda shikime “trembën” drejtësinë amerikane!

vovalbania August 21, 2023 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
Fundi i betejës ligjore/Amber Heard arrin një marrëveshje me Johnny Depp!

Gjatë 6 javëve gjyqi Johnny Depp kundër Amber Heard në lidhje me akuzat për shpifje mes dy aktorëve që u mbajt në Virgjinia, u transmetua drejtpërdrejt në të gjithë botën. Një dokumentar i ri që po transmetohet në Netflix e rimerr çështjen “Depp kundër Heard” dhe shqyrton se si një gjyq për shpifje u bë një fiksim global në TikTok. Mbështetësit e Depp përdorën ndikimin e internetit në favor të tyre duke qarkulluar një breshëri të pafundme klipesh në TikTok, Instagram, Youtube dhe platforma të tjera të mediave sociale.

Të gjitha klipet që qarkullonin në TikTok ishin pro Depp-it, duke krijuar një imazh pozitiv për të, ndërsa Heard shfaqej vazhdimisht e keqe, madje budallaqe. Dukej sikur TikTok dhe mediat sociale ishin armatosur shumë më tepër në favor të një personi sesa tjetrit.

Dokumentari i ri që po transmetohet në Netflix  “Depp kundër Heard” një serial me tre episode shfaq për herë të parë dëshmitë e dy protagonistëve krah për krah. Dokumentari eksploron përmasat globale që mori çështja, duke vënë në pikëpyetje të vërtetën dhe rolin që turma po luan në shoqërinë moderne. Emma Cooper, producentja e dokumentarit në një intervistë për Rolling Stone tregon pse ky dokumentar.

Unë mendoj se ky rast është prova e parë që tregoi se sa i tmerrshëm mund të jetë dhe sa i rrezikshëm është presioni i audiencës së mediave sociale, por nuk mendoj se me këtë rast mund të argumentojmë se ‘xhindin’ duhet ta fusim përsëri në shishe”.

Juria e gjykatës së Virgjinias përfundimisht vendosi në favor të Depp, dhe Heard ishte përgjegjëse për tre akuza për shpifje. Dokumentari “Depp kundër Heard” është kritikuar si nga kampet pro-Depp ashtu edhe nga kampet pro-Heard, për qasjen që ka për të ballafaqur krah për krah deklaratat e dy aktorëve, por  Cooper është e bindur se filmi ka një qasje të matur dhe të balancuar ndaj gjyqit. Cooper vazhdoi:

Unë jam e interesuar për sjelljen njerëzore, dhe me këtë nënkuptoj edhe veten time. Më pëlqen TikTok-u. Koha ime javore para ekranit është absolutisht e tmerrshme. Doja ta mbaja dokumentarin larg ekspertëve. Fundja kush janë këta “ekspertë”?! Nuk doja të flisja as me psikologë apo diçka të tillë. Doja ta mbaja shumë të pastër.

Po cila është e vërteta e gjithë kësaj historie?!

Deri më sot kanë ekzistuar tri të vërteta: e vërteta jote, e vërteta ime dhe e vërteta e Zotit. Me dominimin e rrjeteve sociale, sot të gjithë mund të kenë një mendim edhe kur nuk i kërkohet, ndaj është e vështirë të kuptosh se cila mund të jetë e vërteta. Edhe bisedat mes miqve apo kolegëve nisin: “E pashë këtë gjë në TikTok…” duke nënkuptuar se po thua një të vërtetë.

“Mendoj se është absolutisht e mahnitshme që të gjithë mund të kenë një mendim të menjëhershëm për çdo gjë, dhe kjo e bën të komplikuar të shkosh te e vërteta”, thotë Cooper.

Kur filluan seancat gjyqësore në prill 2022-shit, TikTok u bë një pikë e nxehtë për memet dhe videot në dukje të pafundme pro-Depp dhe anti-Heard rreth gjyqit. Videot e shumta me hashtag #JusticeForJohnnyDepp kaluan 2 milionë pëlqime secila. Më shumë se 450 video në TikTok talleshin me Heard me një remix të deklaratës së saj: “Qeni im shkeli një bletë”.

Në Etsy, fansat mund të blinin bluza “Justice for Johnny” dhe “Fuck Amber Heard”.

Fitorja e Johnny Depp në sallën e gjyqit ndaj Amber Heard u pa nga ekspertët ligjorë jo si vendim që erdhi nga çfarë u tregua në sallën e gjyqit, por si një vendim që u imponua nga presioni i audiencës së TikTok-ut. Është ironike që një gjyq për shpifje mund të shkaktojë kaq shumë shpifje flagrante jashtë tij. TikTok-u  bëri që një çështje serioze dhe intime njëkohësisht siç është abuzimi dhe dhuna në një marrëdhënie “të luhej” si një sport për të argëtuar turmën. Ekspertët thonë se:

Ky gjyq e ka bërë më të qartë se kurrë se një kulturë e adhurimit toksik ka helmuar trurin tonë.

Në mediat sociale, palët ishin ndarë ose Team Depp ose Team Heard; shumë pak njerëz ishin në anën e sistemit të drejtësisë. Pse të prisnin të shihni se çfarë do të thonë gjyqtari dhe juria, kur mund ta zgjidhni lehtësisht kë anë të mbanin nga komoditeti i shtëpisë?!

Për të kuptuar më mirë se çfarë impakti pati Tik-Tok-u, vlen ky krahasim:

Numri i njerëzve që shikojnë lajme televizive çdo mbrëmje në Amerikë është rreth 18 milionë. Numri i shikimeve të videove në TikTok me hashtag #justiceforjohnnydepp pak ditë pas përfundimit të gjyqit shkoi rreth 18 miliardë. Por ka edhe një pyetje tjetër për “gjyqin paralel të TikTok-ut”: Kush e gjeneroi gjithë këtë trafik në internet dhe çfarë efekti pati? Cyabra, një firmë izraelite që gjurmon dezinformimin në internet, ka ndjekur rastin Depp/Heard për javë të tëra. Ata analizuan llogaritë që shpërndanin meme, video dhe komente dhe vlerësoi nëse këto llogari u përkasin njerëzve realë.

Rezultatet ishin befasuese, sipas zëdhënësit të kompanisë, Rafi Mendelsohn.

“Që nga fillimi i gjyqit, ne ishim vërtet të interesuar të shihnim se çfarë po thonë njerëzit në të vërtetë dhe sa nga ajo bisedë është e drejtuar nga llogari të rreme. Ne u habitëm kur pamë se në fakt gati 11% e bisedave rreth gjyqit drejtoheshin nga llogari të rreme, që është një numër shumë i lartë,” tha Mendelsohn.

“Gjithçka që mund të thuhet është se ky model i llogarive të rreme po përhapet gjithnjë e më shumë nga politika dhe në pjesë të tjera të jetës publike. Kur flasim për dezinformata dhe llogari të rreme, shumë shpesh njerëzit mendojnë për fushata të mëdha gjeopolitike, zgjedhje politikë”, thotë zëdhënësi i Cyabra-s.

Por 11% e llogarive të rreme do të thotë se 89% janë të vërteta. Çfarë ndodh me këtë rast?

“Mund të ketë robotë, mund të ketë llogari të rreme, por shumica dërrmuese e trafikut përbëhet nga njerëz të vërtetë që duan të bashkohen në një bisedë të zhurmshme globale për drejtësinë, të vërtetën dhe konfliktin në marrëdhënie, siç ishte rasti i Depp kundër Heard. Problemi nuk qëndron tek 11% i llogarive të rreme por te 18 miliardë shikimet në TikTok që janë presioni më i madh që mund t’i bëhet jo vetëm një jurie por gjithë shoqërisë moderne për të manipuluar të vërtetën.”, përfundon Mendelsohn për The Guardian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65839 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE