Dyfishohet numri i pacientëve në qendrat shëndetësore në plazhe për shkak të virozave!
Të paktën 200 vizita dhe ndërhyrje mjekësore bëhen çdo ditë nga mjekët në 4 qendrat shëndetësore verore që funksionojnë përgjatë bregdetit të Durrësit në këtë sezon turistik. Qendrat ndodhen në Gjirin e Lalëzit, Currila, plazhin e madh dhe tek Shkëmbi i Kavajës, po volumi më i madh i punës për personelin mjekësor është në qendrën e plazhit të madh ku vetëm këtë të diel u paraqitën 120 raste, ose dyfishi i ditëve të zakonshme.
Rastet më të shumta që paraqiten pranë këtyre qendrave janë pushues vendas dhe të huaj të moshave të ndryshme, kryesisht me çrregullime gastrointenstinale dhe viroza të stinës, por ditët e fundit janë shtuar edhe rastet me Covid.
Brenda një jave në plazhet e Durrësit dhe Shkëmbit të Kavajës janë konstatuar rreth 20 raste.
Përveç mjekimit, personeli shëndetësor në këto raste jep edhe këshillat e nevojshme.
Pavarësisht se simptomat e Covidit janë të menaxhueshme dhe kalojnë shpejt mjekët sugjerojnë për kujdes të shtuar për të prekurin, por edhe për mbrojtjen e shëndetit të personave që kanë përreth.