Mediat italiane: Shqipëria, trendi i kësaj vere
Shqipëria është kthyer shpejt në një nga destinacionet më të njohura dhe më të kërkuara për verën e vitit 2023.
“Il Giornale di Brescia” thotë në një shkrim dedikuar këtij fenomeni se edhe banorët e kësaj zone kanë vendosur të bëhen pjesë e valës së turizmit drejt vendit të shqiponjave këtë gusht.
Destinacioni kryesor sipas saj mbetet deti shqiptar. Edhe pse 360 kilometra vijë bregdetare nuk janë shumë në krahasim me Italinë, gazeta nënvizon se shumë italianë janë të intriguar nga brendësia, historia dhe kultura shqiptare.
Gazeta shkruan se Shqipëria dhe shqiptarët janë sulmuar shpesh në mediat italiane. Madje edhe së fundmi se ka probleme në shërbime dhe sepse Shqipëria nuk është mësuar të menaxhojë kaq shumë turistë përnjëherë.
Por megjithatë interesi i italianëve vijon të rritet. E konfirmojnë këtë përfaqësues të agjencive turistike të cilët thonë se kanë kërkesa të shtuara për pushimet në Shqipëri, vendet dhe çmimet.
Një prej përfaqësuesve të këtyre agjencive thotë se Shqipëria ka bërë një fushatë mjaft të mirë marketingu duke reklamuar plazhet e shkreta dhe çmimet e favorshme.
Një nga pikat e forta të Shqipërisë është kostoja e ulët thuhet në shkrimin që gjithsesi nënvizon se edhe këtu, jo kudo çmimet janë të ulëta.
Fluksin turistik e konfirmon edhe Bashkim Hyka një guidë shqiptare që organizon ture dhe mirëpret turistët italianë.
Ai thotë se nga 40 të huaj që kishte zakonisht tani ka 4 herë më shumë pasi Shqipëria është kthyer në modën e momentit.
Burimi: Klan