Presidenti polak: Dërgimi i armëve bërthamore ruse në Bjellorusi e ndryshon sigurinë rajonale!
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë të martën se Rusia është duke dërguar tashmë armë bërthamore në shtetin fqinj, Bjellorusi, dhe ka shtuar se ky veprim do ta ndryshojë arkitekturën e sigurisë së rajonit dhe të tërë aleancës ushtarake të NATO-s. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe ai i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenko, thanë muajin e kaluar se Moska kishte dërguar tashmë disa armë bërthamore taktike në Bjellorusi, pasi kishte njoftuar për një plan të tillë në mars.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk e kanë konfirmuar këtë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi retorikën e Moskës duke e cilësuar si “të rrezikshme dhe pakujdesshme”, por tha në korrik se aleanca nuk ka parë ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë. Armët bërthamore taktike përdoren në fushëbetejë dhe janë armë me rreze të shkurtra veprimi, si dhe prodhojnë pak rezultate krahasuar me armët shumë më të fuqishme bërthamore që vendosën në kokën e raketave me rreze të gjata veprimi.
Duda i bëri këto komente gjatë një konferencë të përbashkët me presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa, i cili po e viziton Varshavën. Duda tha:
Po i tregoja presidentit Sousa për zbatimin e deklaratave nga Vladimir Putini se armët bërthamore taktike të Rusisë do të zhvendosen në territorin bjellorus. Vërtet, ky proces po ndodh, ne po e shohim këtë. Në një mënyrë të qartë po e ndryshon arkitekturën e sigurisë në pjesën tonë të Evropës. Është duke e ndryshuar arkitekturën e sigurisë edhe në pjesën lindore të NATO-s, njëkohësisht. Në fakt, po e ndryshon situatën për tërë aleancën.
Lukashenko thotë se mbajtja e armëve bërthamore ruse në vendin e tij ka për qëllim frenimin e agresionit nga anëtarja e NATO-s, Polonia, edhe pse Varshava nuk ka bërë asnjëherë kërcënime të tilla. Polonia është duke i ofruar fqinjit të vet, Ukrainës, mbështetje ushtarake, humanitare dhe politike në luftën e saj kundër pushtuesit rus dhe po merr pjesë në sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.