Gjermai, lehtësohen procedurat për marrjen e shtetësisë!
Kabineti gjerman ka miratuar më 23 gusht planet për të lehtësuar rrugën drejt shtetësisë për emigrantët dhe për të lejuar më shumë njerëz të kenë nënshtetësi të dyfishtë. Sipas rregullave të reja të propozuara, të cilat ende duhet të miratohen nga parlamenti, natyralizimi në Gjermani do të ishte i mundur pas pesë vjetësh në vend të tetë vjetëve sa është tani. Ata që janë veçanërisht të integruar mirë dhe kanë aftësi shumë të mira të gjuhës gjermane do të mund ta marrin nënshtetësinë pas vetëm tre vjetësh.
Qytetarët e rinj potencial do të duhet të tregojnë se nuk janë të varur nga ndihmat sociale të shtetit, megjithëse do të ketë përjashtime nga ky kusht. Projektligji do t’ua hapë gjithashtu derën më shumë njerëzve që të mbajnë nënshtetësi të dyfishtë, përfshirë ata nga komuniteti i madh turk i Gjermanisë. E drejta për shtetësi të dyfishtë në përgjithësi është aktualisht e kufizuar për qytetarët e BE-së dhe zviceranëve, megjithëse janë bërë disa përjashtime.
Rishikimi i legjislacionit ishte një premtim kryesor i bërë nga qeveria e koalicionit të udhëhequr nga qendra e majtë e kancelarit Olaf Scholz kur erdhi në pushtet në fund të vitit 2021. Gjermania është konsideruar prej kohësh si vendi ku qytetarët mbështesin institucionet por duket se gjërat kanë ndryshuar. Një sondazh i fundit tregoi se vetëm 27% e qytetarëve gjermanë besojnë se shteti është në gjendje të bëjë mirë punën e tij.