Vlorë/Dalin nga spitali fëmijët e helmuar nga ushqimi!
Gjendja shëndetësore e fëmijëve të cilët përfunduan në urgjencën e Vlorës pasi u helmuan nga ushqimi, është stabilizuar. Me kërkesë të institucioneve shëndetësore janë ndaluar të udhëtojnë drejt Shkodrës, për shkak të gjendjes shëndetësore ende të brishtë.
Akomodimi i tyre është marrë përsipër nga operatorët turistikë. Nga urgjenca kanë dalë 22 fëmijët që ishin në gjendje më të mirë mbrëmë. Ndërsa pjesa tjetër do ta lërë urgjencën këtë mëngjes, pasi gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar.
Gjetjet paraprake orientojnë te një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta, thuhet në deklaratën e AKU Vlorë.
“DRAKU Vlorë po bashkëpunon me autoritetet vendore shëndetësore dhe agjencitë ligjzbatuese për udhëheqjen e një hetimi toksikologjik lidhur me çështjen. Objektivi ynë kryesor është përcaktimi i burimit dhe shkakut të kësaj incidence ushqimore që ka prekur pacientët.
Shëndeti dhe siguria e konsumatorëve janë rëndësia e posaçme e punës së AKU-së dhe për këtë po mbledhim informacionin e dobishëm për të evidentuar e identifikuar çdo gabim në protokollet e sigurisë ushqimore, për t’i adresuar siç ligji parashikon. Skuadra jonë po koordinohet me profesionistët e kujdesit shëndetësor në Spitalin Rajonal të Vlorës për t’u siguruar që pacientët të marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor”.