60 vjet që pas fjalimit historik të Martin Luther King Jr, ëndrra e tij vazhdon…

vovalbania August 28, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
60 vjet që pas fjalimit historik të Martin Luther King Jr, ëndrra e tij vazhdon…

60 vjet pas fjalimit historik që Martin Luther King Jr mbajti në Marshimin në Uashington për Punë dhe Liri, ëndrra e tij vazhdon të jetë një punë në zhvillim e sipër. Marshimi i vitit 1963 mblodhi bashkë më shumë se 250,000 vetë në kryeqytetin e vendit, të etur për t’i dhënë fund diskriminimit bazuar tek raca, feja, seksi apo origjina kombëtare. Shumë e vlerësojnë atë si një shfaqje të forcës që çoi me miratimin e Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964.

Vizitorët në Uashington janë dakord se një pjesë e fjalimit të reverendit King, është bërë realitet, megjithatë shtojnë se disa prej aspiratave të tij mbeten të parealizuara. 72 vjeçarja Diane Miller ishte 12 vjeç kur nëna e saj e solli për të marrë pjesë në marshim me gjithë vëllezërit e motrat e saj. Ajo kujton se i kishte bërë përshtypje larmia e turmës.

Të them të drejtën, ishte hera e parë që shihja një grup anglo-saksonësh dhe të bardhësh. Ishte hera e parë që kuptoja se nuk ishin të gjithë të bardhët kundër afrikano-amerikanëve. Kështuqë isha e gëzuar që merrja pjesë.

Zonja Miller e mban mend fjalimin përmendësh. Zonja Miller thotë se kur reflekton për atë ditë, beson se shumë nga ato për të cilat foli referendi King janë realizuar, megjithatë…

Sigurisht kemi ende vështirësi, përballemi me beteja. Ne vazhdojmë të përpiqemi që të integrohemi në një shoqëri që nuk na pranoi në fillim.

72 vjeçari Tommie Babbs, një këshilltar akademik në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Buffalo ka shërbyer më shumë se tre dekada në ushtri.

Kishte shumë të bardhë në atë lëvizje, që ecën përkrah Dr. Kingut në marshim. Shumë të bardhë u vunë në shënjestër si ne, sakrifikuan. Pra, kjo ishte një lëvizje amerikane.

Zoti Babbs mendon se një hap i madh përpara ishte ai i zgjedhjes për dy mandate të ish-presidentit Barack Obama.

Kjo më bëri t’i besoja Amerikës, të besoja te Amerika, në idealin e saj.

Cynthia Robbins, banore e Uashingtonit dhe avokate e të drejtave civile, thotë se e zgjodhi këtë profesion, sepse beson se “ëndrra e Martin Luther Kingut mund të bëhet realitet”.

Gjëja më e rëndësishme e punës së Martin Luther Kingut sipas mendimit tim qëndron tek fakti që është një përpjekje e vazhdueshme, që duhet të ecim përpara, se nuk mund ta marrim drejtësinë si të mirëqenë, duhet ta shohim me seriozitet luftën për drejtësi. Është diçka për të cilën ne duhet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë, duke parë rritjen e prirjeve të bardha supremaciste dhe atyre të urrejtjes. Ndonjëherë është e trishtueshme.

Gjatë fundjavës, mijëra amerikanë marshuan për të përkujtuar 60-vjetorin e Marshimit në Uashington, në të cilën Martin Luther King Jr mbajti fjalimin e tij historik “Unë kam një ëndërr”. Dhe sot në mbrëmje Presidenti Joe Biden mban një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë për të përkujtuar përvjetorin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në historinë amerikane. Ata që e kanë jetuar atë kohë dhe që reflektojnë mbi vlerën e mesazhit të atij fjalimi, që e vuri theksin tek bashkimi dhe jo tek ndasitë, shpresojnë sot që të rinjtë ta çojnë edhe më përpara ëndrrën e Martin Luther Kingut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65819 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE