Avokati 42-vjeçar takon për herë të parë të ëmën, pasi u rrëmbye në spital nga ushtarët e diktatorit kilian!
Një avokat 42-vjeçar, i cili u rrëmbye si i porsalindur nga ushtarët gjatë regjimit ushtarak të Augusto Pinochet-it në Kili, i rritur në SHBA, udhëtoi mijëra kilometra për të takuar, për herë të parë, nënën e tij biologjike. Jimmy Lippert Theiden në një video që ai ngarkoi në platformën TikTok, nga avioni në të cilin ishte për të takuar gruan që e solli në botë, shkroi:
Ajo nuk dinte për mua, ata më morën sapo linda, i thanë se kisha vdekur. Ne kurrë nuk e mbajtëm njëri-tjetrin, kurrë nuk u përqafuam.
Pasi eci në rrugën ku ajo jeton, në Valdivia, 740 kilometra në jug të kryeqytetit të Kilit, Santiago, me lule në duar, Z. Lippert Theiden, me lot në sy, më në fund arriti të përqafonte nënën e tij Maria Angelica Gonzalez. Ai udhëtoi për në Kili me gruan dhe dy vajzat e tyre, të cilat takuan për herë të parë gjyshen. Ai ishte në gjendje ta gjente atë falë testeve të ADN-së, kërkimit në faqen e internetit MyHeritage.com dhe punës së Nos Buscamos, një organizatë joqeveritare që përpiqet të ribashkojë familjet që kryesisht u ndanë gjatë juntës.
Mijëra njerëz u zhdukën gjatë viteve të diktaturës së gjeneralit Pinochet. Themeluesja e kësaj OJQ-je, Constanza del Rio, e krijoi atë sepse nuk ishte në gjendje të gjente informacione për familjen e saj biologjike. Deri më sot, Nos Buscamos thotë se ka arritur të gjejë dhe të lidhë 400 njerëz që kishin humbur të dashurit e tyre. Zonja del Rio shpjegoi:
Ky rast është një nga qindra, rastet e trafikimit të foshnjave gjatë diktaturës dhe madje edhe pas rivendosjes së demokracisë. Këta fëmijë u deklaruan të vdekur dhe u shitën të huajve për 10 deri në 15,000 dollarë.