Presidenti Begaj: Pavarësisht provokimeve serbe, Kosova të koordinohet me Amerikën dhe BE-në!

vovalbania September 04, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti Begaj: Pavarësisht provokimeve serbe, Kosova të koordinohet me Amerikën dhe BE-në!

Pas takimit me homologen Vjosa Osmani, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, porositi që Kosova dhe Serbia të punojnë për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në muajin shkurt mes Prishtinës e Beogradit. Sipas tij, kjo marrëveshje do të çojë në njohje reciproke.

Por, dokumenti me 11 nene nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova. Nga Kosova dhe Serbia, aty kërkohet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat e targat.

Po ashtu, kryetari i shtetit kërkoi nga Kosova që të ketë koordinim më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në veri të Kosovës dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorët të tretë dashakeqës duhet një koordinim më i mirë dhe më i ngushtë me partnerët tanë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian për të gjitha veprimet e ndërmarra.

Begaj foli në konferencën e përbashkët për shtyp me Osmanin, ku disa herë përsëriti se Kosova është prioritet kombëtar dhe se të gjitha strukturat institucionale të Shqipërisë po punojnë që Kosova të rrisë numrin e njohjeve ndërkombëtare, si edhe të anëtarësohet në mekanizma rajonalë e ndërkombëtarë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Prishtinë, pavarësia e Kosovës njihet nga 117 shtete. Por, që nga 1 shkurti i vitit 2021, kohë kur Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet tjetër.

Në Tiranë, presidentja e Kosovës akuzoi Serbinë se po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor. Vjosa Osmani foli për një plan të ngjashëm me atë që realizoi Rusia në Ukrainë në vitin 2014.

Referuar nisjes së konfliktit mes separatistëve të mbështetur nga Rusia me forcat ukrainase në rajonin lindor të Donbasit, si dhe aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska, Osmani theksoi se shtetet demokratike në rajon nuk duhet të lejojnë zbatimin e këtij plani.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65849 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE