Më shumë pensione të pjesshme, në vitin 2022 u rritën me 12%
Numri i pensionistëve që marrin pension të pjesshëm është rritur vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se, në vitin 2022 pensionistët me pagesë të pjesshme ishin 48% të totalit nga 45% në 2021.
Pensionistët vitin e kaluara u rritën me 4.6%, por ata me pensione të pjesshme u shtuan me 12%. Ekspertët i tremben rritjes së varfërisë për moshën e tretë bazuar mbi këtë trend çka mund t’i çojë shumë njerëz në varfëri ekstreme, për shkak edhe të inflacionit të lartë dy vitet e fundit.
Pension të pjesshëm përfitojnë ata persona që nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sipas ligjit. Kështu sipas skemës së sigurimeve shoqërore ata do të marrin pensionin për aq vite pune sa kanë investuar në skemë, por jo më pak se 15 vite gjithsej.
Ata me periudha sigurimi përfitojnë pension në moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë. Sipas përcaktimeve të INSTAT, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi.