Rrezikuan mbytjen, Policia Kufitare ndihmon tre shtetas në Shëngjin e Velipojë!
Tre shtetas që rrezikuan mbytjen u ndihmuan nga Policia Kufitare në Shëngjin e në Velipojë. Siç theksohet në njoftimin zyrtar, dy shtetas po lundronin me pedalone në Shëngjin, por për shkak të erës së fortë humbën kontrollin mbi mjetet lundrues dhe u larguan shumë nga bregu. Pas kërkimeve policore, u gjetën rreth 3 milje larg bregut dhe u ndihmuan.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
Pas marrjes së njoftimit se dy shtetas që po lundronin me pedalone, në plazhin e Shëngjinit, ishin në rrezik sepse për shkak të erës së fortë kishin humbur kontrollin mbi mjetet lundruese dhe ishin larguar shumë nga bregu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e tyre.
Pas kërkimeve me mjetin lundrues të Policisë Kufitare janë konstatuar rreth 3 milje larg bregut, dy mjetet lundruese pedalone dhe dy drejtuesit e tyre. Shërbimet e Policisë Kufitare i kanë nxjerrë në breg këta dy shtetas, bashkë me mjetet e tyre lundruese. Dy shtetasit falënderuan punonjësit e Policisë që i shkuan në ndihmë.
Po në veri të vendit, në Velipojë u ndihmua një shtetas në rrezik mbytjeje nga dallgët e larta në det. Ndërhyrja e shërbimeve të policisë kufitare Shkodër çoi në nxjerrjen e tij në breg ku iu dha ndihma e parë.
Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër i kanë shkuar në ndihmë një shtetasi që ishte në rrezik mbytjeje për shkak të dallgëve të larta, në plazhin e Velipojës. Pas ndërhyrjes së shpejtë, shërbimet e Policisë e kanë nxjerrë në breg këtë shtetas dhe i kanë dhënë ndihmën e parë. Ai ka falënderuar punonjësit e Policisë, për ndërhyrjen e shpejtë dhe ndihmën që i ofruan.