Venera Lumani e penduar për akuzat ndaj Flor Mumajesit: “Jam e vogël para muzikës tënde”
Pas 7 viteve në rrjetet sociale në vëmendje u rikthye debati mes Flori Mumajesit dhe Venera Lumanit.
Bëhet fjalë për një diskutim në post-Kënga Magjike, ku Venera i ishte drejtuar Florit se përse kishte përdorur muzikën turbo folk në tregun shqiptar.
E këtë debat e riktheu vetë Flori pak javë më parë, i cili bashkangjitur videos nga ai moment kishte shkruar: “Është faji im? Apo çështje kohe?”
Kjo jo rastësisht, por referuar këngës së re të Venerës dhe disa projekteve të tjera ku duket edhe përdorimi i muzikës që ajo vetë e paragjykojë në këtë klip.
Venera nuk reagoi fare duke e kaluar në heshtje situatën, por e ftuar së fundmi në një intervistë ajo dha sqarimin e saj.
“Nuk më duket etike nëse flasim pa qenë të gjithë prezent në tavolinë, por që nuk reagova sepse nuk më pëlqen që artistët të grricen me njëri tjetrin nga Instagrami, nga rrjetet sociale. Mendoj se do të ishte shumë më e drejtë, shumë më e bukur që në një moment që do të jemi të gjithë bashkë ta diskutojmë sepse është diskutim shumë i mirë. Mua asnjëherë nuk më ka joshur vëmendja nga gërricjet në Instagram”
E pyetur nëse ajo vetë ka shkuar drejt rrymës tallava, për të cilën debatoi me Mumajesin, Lumani u përgjigj:
“Mendoj se njerëzit e keqkuptojnë, ose nuk e dinë fiks se çfarë do të thotë tallava dhe zhanere të tjera, por kjo duhet shpjeguar nga ne artistët. Kam përshtypjen që ka qenë një periudhë jo e mirë e Florit kur të gjithë e sulmonin për muzikën që ai bënte në atë kohë dhe më duket që si për inerci edhe pyetja ime ka marrë një konotacion të gabuar. Unë s’e kam sulmuar asnjëherë, jam shumë e vogël para Florit, para muzikës së tij dhe kam përshtypjen jam përzier edhe unë aty, por pyetja ime ka qenë shumë naive dhe si të thuash për të kërkuar një lloj këshille dhe mendoj që është gabuar, me siguri, edhe për shkak të artikulimit të gabuar sepse ka qenë dukshëm naiviteti i një artisti shumë të ri”.
Ajo sqaroi se këshillën e Florit asokohe e ka marrë dhe e ka implementuar në karrierën e saj për të arritur këtu ku ka arritur.