22 vite nga sulmet e 11 shtatorit në Amerikë, identifikohen edhe 2 viktima!
Në prag të 22-vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, janë identifikuar edhe dy viktima të tjera të Qendrës Botërore të Tregtisë. Njoftimi është bërë nga autoritetet e Nju Jorkut. Eshtë fjala për një burrë dhe një grua, emrat e të cilëve nuk jepen, me kërkesë të familjeve të tyre. Përkatësisht janë viktima e 1648-të dhe 1649-të të identifikuar nga mjekësia ligjore, falë testeve të avancuara të ADN-së. Numri i përgjithshëm i viktimave të komandos së Al Kaedës që rrëzoi dy avionë në Kullat Binjake në Manhatan, rritet në 2753.
Por, njerëzit vazhdojnë të vdesin në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork pasi departamenti i zjarrfikësve ka shtuar 43 emra të rinj në Murin Përkujtimor të Qendrës Botërore të Tregtisë që përkujton zjarrfikësit e prekur nga sëmundjet vdekjeprurëse që lidhen me punën e tyre humanitare në rrënojat e Kullave Binjake. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, ish-kapiten i policisë e që ishte në detyrë në ato ditë të vështira, kujton:
Ne shpesh reflektojmë për atë që ndodhi më 11 shtator, por mbaj mend edhe 12-tën.
Shtesat në Murin Memorial, të krijuar 12 vjet më parë me 55 emra, e çojnë në 331 numrin e zjarrfikësve për të cilët tymi toksik nga Qendra Botërore e Tregtisë ishte vdekjeprurëse, pothuajse i barabartë me atë të zjarrfikësve që vdiqën teksa ngjiteshin në Kullat Binjake në ditën e sulmit më të keq terrorist në tokën amerikane.
Ndërkohë, pak ditë më parë Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë disa nga pikat e kërkuara nga avokatët e Khalid Sheikh Mohammed, krahut të djathtë të Osama bin Ladenit që konsiderohet arkitekti i tragjedisë dhe katër të burgosurve të tjerë në Guantanamo, të akuzuar për komplot për të sulmuar SHBA-të. Marrëveshja e propozuar, e kritikuar ashpër nga familjet e viktimave, përfshinte një pranim fajësie dhe burgim të përjetshëm në këmbim të garancive se të pestë nuk do të vendoseshin në izolim dhe do të merrnin trajtim për traumat e vuajtura nga torturat e CIA-s.
Ende nuk është bërë i mundur identifikimi i 1104 viktimave dhe dy identifikimet e fundit datojnë në vitin 2021. Kur kulla jugore, pastaj ajo veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë u shembën pas sulmit, nga zjarri, çeliku dhe pluhuri nuk u gjet asnjë gjurmë ADN-je për qindra vetë. Dy identifikimet e reja u bënë të mundura falë “teknologjisë së sekuencës së gjeneratës së ardhshme të miratuar së fundmi, më e ndjeshme dhe më e shpejtë se teknikat konvencionale të ADN-së” dhe e përdorur në veçanti nga ushtria amerikane.