Me armë në traget drejt Durrësit, prangoset në kufi një 32-vjeçar nga Lezha!
Policia Kufitare e Durrësit sekuestroi dy armë zjarri pistoleta, krehër dhe fishekë, si dhe tre bombola metalike, ndërsa vuri në pranga një 32-vjeçar rezident në Itali, i cili i kishte fshehur sendet e kundërligjshme, në valixhe, me qëllim futjen në vendin tonë.
Operacioni i koduar “Rezidenti” u konsiderua faza e dytë e të njëjtit operacion që në fazën e parë gjeti dhe sekuestroi në Portin e Durrësit një pistoletë me dy krehra që një shtetas kosovar, rezident në Francë po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Krahas angazhimit maksimal për të përballuar fluksin e lartë të qytetarëve në hyrje/dalje, për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe për krijimin e lehtësirave, me qëllim zvogëlimin e kohës së pritjes, gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe gjatë kontrolleve të mjeteve, shërbimet e strukturave hetimore dhe të atyre operacionale të Policisë Kufitare të portit të Durrësit, kanë vijuar kontrollet me përzgjedhje, të bazuara në inteligjencën policore dhe në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga policia se një shtetas që po udhëtonte me traget, nga Ankona në Durrës, kishte armë zjarri që tentonte t’i fuste në vendin tonë, u finalizua faza e dytë e operacionit policor të koduar “Rezidenti”, në kuadër të të cilit, në hyrje të RSh-së, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Sindrit Kola, 32 vjeç, banues në Lezhë dhe rezident në Itali.
Gjatë kontrollit, shërbimet e policisë i gjetën këtij shtetasi të fshehura në valixhe, si dhe i sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një armë me trup plastik, dy krehëra pistolete, një kuti me 50 fishekë imitues të zhurmës dhe tre bombola metalike.
Hetimet e mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” do të kryhen nga prokuroria e Durrësit.