RVCHET: “Ritmin e muzikës shqiptare ta bëjmë pak ‘RnB’ sepse kanë ngelur të gjithë me tallava..”
I ftuar në emisionin “Lancio” nëpërmjet një lidhje telefonike nga Londra ka qenë artisti dhe producenti i njohur RVCHET, i cili ndodhet edhe në klasifikimin e “The Top List” për bashkëpunimin e tij me Solo dhe Lil Koli që mban titullin “Mah Bebé”. Një këngë e cila ka arritur mbi 1 milion klikime në platformën YouTube. Rreth projekteve që priten së shpejti ai u shpreh:
Tani Lil Kolin do ta dëgjoni edhe më shumë sepse nëntë ose dhjetë këngë i kemi gati. Do të dalë edhe një super projekt tani me shtatë këngë që do ta bëj unë dhe Lil Koli. Solon e kemi shok të ngushtë, jemi si familje dhe punojmë të gjithë bashkë. Albumi që do të bëj me Lil Kolin do të ketë këngë shumë të forta dhe janë një stil ndryshe dhe po provojmë që të bëjmë një gjë të ndryshme, ritmin e muzikës shqiptare që ta bëjmë pak ‘arenby’ sepse kanë ngelur të gjithë me tallava.
Ai ka shtuar më tej se:
Brandi RVCHET ka filluar që në vitin 2006, kam filluar të punoj me artistë si Skepta, Devlin, Stormzy këta të mëdhenjtë këtej. Emri RVCHET do të thotë shumë gjëra, një gjë që plas, një çmenduri që nuk dihet. Që kur kam qenë i vogël më thonin ti je i çmendur dhe tani me të vertetë u bëra i çmendur me muzikë.
Së fundmi RVCHET përveçse projekteve që ka sjellë për artistë të njohur të ‘rap’-it si producent ka ardhur edhe si këngëtar vetëm. Ai ka sjellë edhe një frymë komplet tjetër këtu, atë të rrymës së muzikës rap por në modelin ose më saktë në versionin britanik.
Unë besoj se kam qenë një nga producentët e parë që ka ardhur në Shqipëri që është shqiptar që ka bërë lidhjet angeleze edhe me europianët. Aty kam edhe vëllain tim Noizy-n sepse kemi punuar bashkë për shumë kohë dhe kemi bërë disa gjëra të bukura. Kemi ndryshuar sound-in e Shqipërisë e besoj unë dhe kemi thyer shumë rekorde. Ka pasur shumë këngë të bukura.