Shisnin pa fatura tatimore, ora të markave të shtrenjta, aksesorë diamanti dhe floriri, 2 në pranga në Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Sahati”, si rezultat i monitorimit të vazhdueshëm ndaj subjekteve ekonomike që i tregtojnë produktet e tyre edhe online. Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë së Shtetit.
Shitnin online dhe në 2 dyqane në kryeqytet, pa fatura tatimore, ora të markave të shtrenjta, si dhe aksesorë diamanti dhe floriri, vihen në pranga 2 administratorët.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për moskryerje të detyrës, për punonjësit e Drejtorisë Vendore të Tatimeve Tiranë, që mbulojnë zonat ku janë 2 dyqanet.
Nga të dyja bizneset sekuestrohen 228 ora të markave të ndryshme, aksesorë diamanti dhe floriri, si dhe 5100 euro, 2000 dollarë dhe 121 400 lekë të përfituar nga shitja e aksesorëve.
Si rezultat i monitorimit intensiv paralel, të bizneseve që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në njësi fizike dhe/ose online, me qëllim parandalimin e paligjshmërive në fushën ekonomiko-financiare dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimi me produktet, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Sahati”.
Në kuadër të këtij operacioni janë gjurmuar 2 dyqane që shitnin ora dhe aksesorë të tjerë, online dhe në njësi fizike në kryeqytet. Gjatë kontrolleve në njërin dyqan (të paregjistruar në organet tatimore), me administrator shtetasit D. S., u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 195 ora të markave të shtrenjta dhe 19 palë syze, ndërsa në dyqanin tjetër, me administrator shtetasin K. Z., u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 33 ora të markave të shtrenjta, aksesorë diamanti dhe floriri, si dhe 5100 euro, 2000 dollarë dhe 121 400 lekë të dyshuar të përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u kapën dhe u vunë në pranga administratorët e 2 dyqaneve, shtetasit D. S., 52 vjeç dhe K. Z., 44 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për punonjësit e Drejtorisë Vendore të Tatimeve Tiranë që mbulojnë zonat ku janë dyqanet, mbi dyshime për moskryerje të detyrës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.