Standard & Poor’s vlerësoi pozitivisht ekonominë shqiptare, Mete: Përmirësimi i shërben bankave, investitorëve dhe bizneseve!

vovalbania September 23, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Standard & Poor’s vlerësoi pozitivisht ekonominë shqiptare, Mete: Përmirësimi i shërben bankave, investitorëve dhe bizneseve!

Ministri i Financave, Ervin Mete e ka konsideruar lajm të mirë vlerësimin pozitiv të dhënë nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s për ekonominë shqiptare.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Mete shprehet se “përmirësimi i vlerësimit pas gati 7 vjetësh, i shërben bankave dhe investitorëve, si dhe bizneseve brenda dhe jashtë vendit për të vlerësuar aftësinë kreditore të Shqipërisë, duke pasur kështu një ndikim në uljen e kostove të huamarrjes.”

Sipas ministrit, përmirësimi i vlerësimit me B+ gjithashtu rrit pozicionin e Shqipërisë në tregjet financiare globale dhe hap mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik.

“Lajm i mirë rishikimi në ngritje i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit Standard&Poor’s, nga perspektivë “e qëndrueshme” në “pozitive”, duke konfirmuar vlerësimin B+.

Ky përmirësim i vlerësimit, pas gati 7 vjetësh, i shërben bankave dhe investitorëve, si dhe bizneseve brenda dhe jashtë vendit për të vlerësuar aftësinë kreditore të Shqipërisë, duke pasur kështu një ndikim në uljen e kostove të huamarrjes.

Ai është një tregues i forcimit të qëndrueshmërisë së financave publike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në ndjekjen e reformave strukturore dhe integrimit evropian.

Ky përmirësim rrit pozicionin e Shqipërisë në tregjet financiare globale dhe hap mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik. Ai shërben gjithashtu si një shenjë besimi nga komuniteti ndërkombëtar në stabilitetin ekonomik dhe potencialin e rritjes së ekonomisë shqiptare”- shkruan Mete.

Vlen të theksohet se, më herët Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s ka rishikuar perspektivën e saj për Shqipërinë, duke e vlerësuar vendin tonë nga një vend me “perspektivë e qëndrueshme”, në një vend me “perspektivë pozitive”. Në të njëjtën kohë, agjencia ka ri-konfirmuar vlerësimin e vendit në “B+”.

“Perspektiva pozitive” sipas agjencisë pasqyron pikëpamjen se parametrat fiskale të vendit do të vijojnë të përmirësohen përtej pritshmërive të agjencisë, nëpërmjet përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar financat publike. Për më tepër, pavarësisht një ngadalësimi të partnerit kryesor tregtar të vendit, BE-së, agjencia parashikon që parametrat e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë mund të përmirësohen më shumë se ç’pritej, ndërsa ekonomia globale rimëkëmbet dhe sektori shqiptar i turizmit vazhdon të zgjerohet.

Agjencia parashikon se pas një moderimi të rritjes për këtë vit në 3%, kryesisht për shkak të kërkesës së huaj më të ulët nga Evropa, rritja pritet të rimarrë shpejtësi pas vitit aktual 2023, duke u mbështetur edhe në lehtësimin e kushteve financiare dhe rritjen e aktivitetit ekonomik global.

Agjencia thekson se vitet e fundit, Shqipëria është përballur me një sërë goditjesh, përfshirë një tërmet në vitin 2019. Pavarësisht kësaj, qeveria ka bërë përpjekje të forta për të konsoliduar financat publike. Si rezultat, agjencia pret që defiçiti buxhetor të konvergojë në rreth 2% të PBB deri në vitin 2026 dhe borxhi publik të reduktohet në 58.3% në 2026 nga 64.5% që rezultoi në 2022, duke qenë në përputhje me rregullat fiskale të balancës primare dhe të reduktimit të borxhit publik të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit. Megjithatë, agjencia vëren se konsolidimi fiskal do të varet edhe nga rimëkëmbja e qëndrueshme e rritjes ekonomike dhe vijimësia e reformave strukturore.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65810 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE