Analistët amerikanë dënojnë sulmin në Kosovë/Paralajmërojnë mundësinë e rritjes së pranisë ndërkombëtare në rajon!

vovalbania September 25, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Analistët amerikanë dënojnë sulmin në Kosovë/Paralajmërojnë mundësinë e rritjes së pranisë ndërkombëtare në rajon!

Analistët amerikanë dënojnë sulmin e grupit të armatosur në veri të Kosovës, me pasojë vrasjen e një pjesëtari të policisë. Për Zërin e Amerikës, David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins dhe Charles Kupchan, studiues në Këshillin Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, shprehën shqetësimin për tensionimin e situatës.

David Kanin tha se “për nga natyra dhe organizimi, sulmi i fundit është ndryshe nga incidentet e tjera të dhunshme në atë zonë të Kosovës”.

Duhet të trajtohet si një akt më vete i papranueshëm dhune, në të cilin të paktën 30 sulmues të armatosur jo vetëm që vranë një polic të Kosovës, por sulmuan një manastir serb. Mendoj se ka rëndësi reagimi i Kishës Ortodokse Serbe. Eshtë e qartë se njerëzit në manastir ishin të pakënaqur që ata hynë në objektin fetar. Ky sulm ishte një provokim.

Charles Kupchan shpreh keqardhjen për dhunën, por thotë se nuk është shumë i befasuar prej saj.

Kjo për shkak se tensioni në atë pjesë të vendit ka kohë që po zjen. Kemi parë shpërthime të dhunës të lidhura me vendosjen e një sërë kryetarësh në veri, të zgjedhur me një përqindje shumë, shumë të vogël, ndërsa banorët serbë i bojkotuan zgjedhjet e fundit.

Por, ai shton se megjithëse jobefasues, përshkallëzimi e rrit seriozisht rrezikun e një përhapjeje të mëtejshme të dhunës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi Beogradin për përshkallëzimin duke thënë se qëndron prapa sulmit. Ndërkaq, presidenti serb, Aleksander Vuçiç fajësoi Kurtin për situatën në veri, qëndrimi i të cilit sipas tij, u bë shkas që banorët serbë të mos duronin më. Kanin u shpreh se reagimi i kryeministrit Kurti ishte i përshtatshëm.

Kosova është viktima këtu. Ata janë njerëzit që u sulmuan dhe Kurti tha: çfarë mund të presësh tjetër, duhet fajësuar Beogradi! Vuçiç ishte në pozita mbrojtëse, duke u përpjekur ta distancojë Serbinë nga ajo që ndodhi e duke iu referuar sulmuesve si serbë të rebeluar. Atyre iu dha një lloj konteksti dhe justifikimi. Por, është e qartë se ai nuk është i kënaqur.

Charles Kupchan thotë se të dyja palët kanë përgjegjësi për ngërçin dhe për përshkallëzimin e dhunës:

Serbia që e ka mbajtur efektivisht veriun më shumë të lidhur me Beogradin se me Prishtinën dhe kryeministri Kurti me veprime provokuese e të panevojshme. Përshkallëzimi është alarmues për perëndimorët.

Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja do ta shohin këtë si një shenjë paralajmëruese. Nuk do të habitesha nëse shohim një rritje të mundshme në përmasat e pranisë së bashkësisë ndërkombëtare në rajon.

Për Kupchanin, kjo ngjarje nuk do të thotë që Kurti është i justifikuar në veprimet e tij të deritanishme që janë kritikuar nga Perëndimi.

Presioni duhet të vazhdojë intensivisht tek të dyja palët.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65755 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE