Letra rrëqethëse e vajzës së policit që u vra në Kosovë: “Si të jetoj unë pa heroin tim?”
Arbenita Bunjaku, vajza e policit të ndjerë Afrim Bunjaku, që u vra në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Banjska të Leposaviçit, u është drejtuar me disa fjalë rrëqethëse të pranishmëve në ceremoninë përkujtuese që u mbajt në nderim të tij, teksa sot Kosova është në zi.
Mes lotësh, vajza e rreshterit, të rënë në mbrojtje të atdheut, tha se ajo dhe vëllezërit do ta përkujtojnë gjithmonë me mall dhe dhimbje dhe se do të ndjekin rrugën e tij.
“Heroi im, babai im. Sa vështirë e kam të shkruaj për ty, babai im. Para kohe, unë mbeta jetim, kurrë s’e kam besuar. Ikja jote babi, na la një plagë të madhe në zemrat tona. Babi, nuk e di si do të jetoj unë pa ty. Si të jetoj unë pa heroin tim? Hyra brenda në shtëpi dhe ty nuk të pashë. Është shumë e rëndë për mua. Vendin tënd në shtëpi nuk e zëvendëson askush. Të gjitha na i mësove, por si të jetojmë pa ty, asnjëherë. Babi, ti ishe një njeri i dashur për familjen, shoqërinë ashtu edhe për punën.
E flijove jetën për liri, për këtë vend që ne dhe Kosova të jemi të gjithë krenarë me ty, me heroizmin tënd, mundin dhe punën që e ke bërë për këtë vend.
Të premtoj babi që do të jemi gjithmonë krenarë me ty dhe do të ndjekim gjithmonë rrugën tënde. Me mall dhe dhimbje do të përkujtojmë gjithmonë heroi im, babai im”, -tha ajo.