I akuzuar për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për ish truprojën e Tahirit
Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me 8.8 vite burg për Hekuran Markun, ish truprojën e Saimir Tahirit. Maru u shpall fajtor për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal pas operacionit të koduar ‘Shpirti’. Marku u arrestua në Gjermani dhe u ekstradua në vendin tonë në prill të vitit të kaluar.
Ai akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal bashkë me Agustin Dedën, ish shoqëruesin tjetër të Tahirit dhe kanë kultivuar parcela me kanabis.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 26.09.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 37 akti, datë 23.05.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri Hekuran Marku., kundër vendimit nr. 67, datë 14.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hekuran Marku për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë, 28 pika 4 të Kodit Penal dhe në bazë edhe të nenit 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 13(trembëdhjetë) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hekuran Marku për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.
3. Në bashkim të dënimeve sipas nenit 55 të Kodit Penal paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit H.M. me një dënim të vetëm prej 13(trembëdhjetë) vjet burgim.
4. Në bazë të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Hekuran Marku i ulet një e treta e masës së dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
5. Vuajtja e dënimit të të pandehurit i fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit arrest në burg dhe të kryet në një burg të sigurisë së lartë…”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 67, datë 14.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.