Apeli i kryeministrit Kurti: Serbët e Kosovës të çlirohen nga tutela e Serbisë!

vovalbania September 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Apeli i kryeministrit Kurti: Serbët e Kosovës të çlirohen nga tutela e Serbisë!

Sot në mbledhjen e qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit, ekspozoi vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen e kontrollin e kufijve me Serbinë. Më 24 shtator, në zonën e Banjskës, Policia e Kosovës u përplas me një grup të armatosur dhe për pasojë mbeti i vrarë një efektiv e tre sulmues. Tetë të dyshuar të tjerë u arrestuan.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, më 24 shtator u rrezikua siguria kombëtare e Kosovës dhe është shpërfaqur gatishmëria “e grupeve kriminale e terroriste”, për të cilat vuri në dukje se i kanë luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë”. “Me mbi 5 milion euro armatim ushtarak dhe sasi të mjaftueshme, për një grup prej qindra luftëtarësh është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”, – tha Kurti, i cili mbledhjen e qeverisë e nisi me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë.

Prishtina thotë se më shumë se vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, kufirin me Serbinë sidomos në veri, veçanërisht të rrezikshëm e të vështirë e bëjnë “sjellja dhe oreksi i Beogradit zyrtar”. Kryeministri Kurti kërkon që serbët e Kosovës të çlirohen nga ato që i sheh si “tutela të Serbisë”. Ndërkaq, nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç e quan “terrorist”. Sipas Prishtinës, ai ishte pjesë e komandos që sulmoi policinë më 24 shtator.

Vazhdon i bllokuar fshati Banjskë në veriun e Kosovës me shumicë serbe e ku të dielën e kaluar mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe disa nga sulmuesit serbë. Ditën e sotme, autoritetet e Kosovë duhet të vendosin si do të veprojnë në vazhdim, për ta zhbllokuar apo jo. Policia e Kosovës u sulmua nga persona të armatosur në orët e para të 24 shtatorit kur ndërhyri pas njoftimeve për bllokim të një ure me kamionë pa targa.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65731 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE