Normat e interesit të kredisë për shtëpi, të ulëta në lekë/Sinjale rritjeje në euro!

vovalbania September 27, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Normat e interesit të kredisë për shtëpi, të ulëta në lekë/Sinjale rritjeje në euro!

Këtë vit, normat e interesit të kredive për shtëpi në lekë e kanë frenuar rritjen. Sipas Bankës së Shqipërisë, në korrik, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë, pësoi rënie në 4.04% nga 4.3 që ishte në qershor.

Shifrat e këtij viti tregojnë se në përgjithësi, normat e interesit për këtë produkt kanë ndjekur një tendencë rënëse, pas rritjes së shpejtë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Pasi u rritën deri në një nivel mesatar prej 4.99% në nëntor 2022, normat mesatare të interesit pësuan rënie graduale dhe aktualisht qëndrojnë poshtë niveleve të shënuara në pjesën e dytë të vitit të kaluar.

Në këtë tendencë, ndikim të konsiderueshëm pati frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë e sidomos rënia e yield-eve të Bonove të Thesarit.

Veçanërisht për periudhën e ndryshueshme, normat e interesit të kredive janë të lidhura direkt me ecurinë e yield-eve të bonove, kryesisht të atyre 12 mujore.

Këtë vit, yield-et e bonove 12-mujore kanë shënuar tendencë rënëse, duke zbritur shumë afër nivelit të normës bazë të interesit. Kjo ka bërë që edhe norma mesatare e interesit të kredive për shtëpi të korrigjohet në rënie gjatë këtij viti.

Ndërkohë, bankat po vazhdojnë të ofrojnë kushte tërheqëse për këtë produkt, sidomos në periudhën fillestare me norma fikse interesi. Kredia për shtëpi është një produkt që u mundëson bankave ndërtimin e portofoleve afatgjata e një shpërndarje të mirë të rrezikut të kredisë.

Gjithashtu, kredia për shtëpi është ndër produktet më cilësore të kredisë, me raportin më të ulët të kredive me probleme. Për këto arsye, konkurrenca në produktin e kredisë për shtëpi ngelet e lartë, me marzhe më të ulëta dhe me norma fikse interesi në vitet e para të kredive.

Duke qenë se rritja e interesave nuk është përcjellë plotësisht as në krahun e depozitave, duket se bankat ende kanë marzhe për të ofruar çmime tërheqëse për ato produkte që perceptohen si cilësore e të leverdishme në afatin e gjatë, si kredia për shtëpi.

Ndërkohë, në monedhën euro gjatë muajve po vërehet një tendencë në rritje e normave të interesit të kredisë për shtëpi.  Në korrik, norma mesatare e interesit arriti në 5.32%, nga 4.86 që ishte në qershor.

Rritja e interesave për euron po reflekton politikat e Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e normës bazë të monedhës europiane në nivelin më të lartë historik. Kjo rritje është reflektuar edhe në treguesin referencë të Euriborit. Euribori 12-mujor ka kaluar nivelin 4.2%, më i larti në 15 vjet.

Edhe në monedhën Euro norma mesatare e interesit të kredive ngelet me një marzh të vogël mbi Euriborin dhe rritja e normave të interesit që nisi vitin e kaluar, nuk është përcjellë plotësisht./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65807 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE