Kandidatët republikanë sërish në debat, mungon ish-presidenti Trump!
Në Shtetet e Bashkuara, shtatë kandidatë republikanë që shpresojnë të kandidojnë për president debatuan sërish, ndërsa secili përpiqet të shkëputet nga të tjerët e të bëhet sfidanti kryesor i Donald Trumpit. Ish-presidenti vazhdon të ruajë avantazh të madh në garën brenda partisë për të fituar emërimin si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2024 edhe pse po përballet me disa procese gjyqësore.
Trump sërish po e shmang debatin e sponsorizuar nga Partia Republikane, siç veproi muajin e kaluar. Ndërsa kundërshtarët e tij debatonin në Bibliotekën Presidenciale “Ronald Reagan” në Kaliforni, ish-presidenti organizoi një tubim politik në Miçigan, shtet i rëndësishëm për betejën elektorale, ku punëtorët e linjave të prodhimit të makinave janë ngritur në grevë ndaj tre kompanive më të mëdha të vendit.
Duket se ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka kuptuar se nuk përfiton asgjë nga pikëpamja strategjike duke u shfaqur në të njëjtën skenë debati me kundërshtarët e tij, kur anketimet në nivel kombëtar të bëra nga RealClearPolitics tregojnë se gëzon mbështetjen e 56% të votuesve republikanë dhe se kryeson me 42 pikë përqindje më shumë se sfidanti më i afërt, Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis.
Gjashtë republikanët e tjerë në skenën e debatit, të gjithë me përqindje mbështetjeje vetëm njëshifrore në anketime, janë ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, sipërmarrësi Vivek Ramasëamy, ish-zv.presidenti Mike Pence, senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott, ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie dhe guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum.
Pas debatit të parë mes kundërshtarëve të ish-presidentit Trump, ku nuk pati një fitues të qartë, anketimet mbarëkombëtare treguan se ai e shtoi realisht avantazhin, megjithëse është duke u përballur me mundësinë e kalimit të javëve të tëra në sallat e gjykatave gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, për t’u përballur me akuzat se u përpoq në mënyrë të kundraligjshme të përmbyste humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 përballë presidentit Joe Biden dhe se mbajti në mënyrë të paligjshme dokumenta të sigurisë kombëtare, pasi u largua nga detyra në fillim të vitit 2021.
Ndërsa pjesa më e madhe e bazës së votuesve republikanë mbështesin ish-presidentin Trump, kundërshtarët e tij po përpiqen t’i bindin votuesit se janë një zgjedhje më e mirë për të kandiduar përballë Joe Bidenit, i cili kërkon rizgjedhjen.