Kryeministri Rama në Berlin: Shqipëria, vlerë neto në BE sa i takon paqes dhe sigurisë!

vovalbania September 29, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Kryeministri Rama në Berlin: Shqipëria, vlerë neto në BE sa i takon paqes dhe sigurisë!

Kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se Shqipëria mund t’i sjellë Bashkimit Europian vlerë neto sa i takon paqes dhe sigurisë. I ftuar sot në “Berlin Global Dialogue” në Gjermani, në një forum të ri ndërkombëtar që bashkon liderët nga politika dhe biznesi për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për një ekonomi globale në tranzicion, shefi i qeverisë u bë pjesë e diskutimit me temë: “Roli Gjeopolitik i Ballkanit Perëndimor”, një bashkëbisedim i fokusuar në rolin që mund të luajë Ballkani Perëndimor në forcimin e së ardhmes gjeopolitike dhe ekonomike të Europës.

I pyetur mbi rolin e Shqipërisë në këtë drejtim, Rama tha se “jemi shumë të vegjël për të bërë dallimin, por jemi mjaftueshëm konsistent në shumë mënyra dhe mendoj se do të jetë një vlerë neto sa i takon paqes dhe sigurisë”.

Pas pushtimit rus edhe më skeptikët, edhe ata më distantët nga Ballkani Perëndimor kanë kuptuar rëndësinë e tij gjeopolitike. Ballkani Perëndimor ka një histori mjaft të vështirë, por është në zemër të Europës, pra nuk ka asnjë zgjidhje përveç futjes së Ballkanit Perëndimor në BE.

Kompleksiteti i Ballkanit Perëndimor sot është një tjetër arsye pse procesi i futjes së Ballkanit Perëndimor duhet përshpejtuar. Ne jemi në mes të shumë aktorëve. Nuk po flas për Shqipërinë sepse Shqipëria është shumë, shumë e qartë. Edhe pse ka pasur një histori që i ka mësuar shumë lidhur me lojtarët e mëdhenj, edhe kur të tjerët ose nuk i njihnin ata, si Kina apo si Rusia, që i njohën në mënyrën më të vështirë të mundshme sepse duke qenë gjithmonë tejet besnikë, e kemi tepruar duke qenë besnikë ndaj diktatorëve mizorë, si Stalini. Ne e mbajtëm Stalinin në bulevard edhe kur rusët e hoqën qafe.

Shqipëria është tërësisht 100%  drejtuar për nga komuniteti euroatlantik, por në vendet e tjera kemi më shumë prani ruse, më shumë ndikim rus dhe kjo duhet zbutur plotësisht, duke integruar më shumë Ballkanin Perëndimor në BE.

Rama tha se nuk pret një datë konkrete sa i takon procesit të anëtarësimit në BE.

Agresioni rus i ka hapur sytë gjithkujt dhe i ka bërë të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi dhe rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE, por nga ana tjetër BE ka problemet e veta që ne i njohëm mjaft mirë, një proces shumë të vështirë vendimmarrjeje, një ndikim shumë i madh i politikave vendase mbi shtetet anëtare që herë-herë përcakton edhe qëndrimin e Unionit sepse për çdo hap të hedhur, të duhet konsensus.

Nuk di të them për data apo për afate sepse nuk jam i sigurt që BE ka kapacitetin për të vendosur një afat dhe për ta respektuar më pas, sepse të gjithë mund të jenë dakord kur vendoset afati, por kur vjen fjala për ta respektuar këtë afat, dikush mund të mos jetë dakord kështu që trauma kthehet. Ne jemi tërësisht në paqe me veten, që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë sepse në fund të fundit unë besoj se BE është burimi më i jashtëzakonshëm i njohurive në ndërtimin e shtetit.

Rama shtoi se nëse ka një dallim thelbësor midis vendeve te Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera në kontinente të ndryshme është që ne kemi bekimin që kemi këtë Bashkim Europian që është një burim mahnitës informacioni për këtë. Kryeministri theksoi se objektivi është të kesh mundësinë ta përdoresh këtë dije, të marrësh më të mirën e saj për të ndërtuar një shtet dhe demokraci funksionale.

Pastaj, a jemi zyrtarisht sot, nesër a pasnesër anëtarë, kjo nuk varet vetëm nga ne, këtë e dimë, por më duhet të rrëfej po kështu se jam ndierë herë-herë i traumatizuar nga procesi i pafund i çeljes së bisedimeve për anëtarësim sepse ishte shumë e vështirë që të gjeje një lloj ekuilibri mendjeje përballë një Bashkimi Europian që thoshte ‘Ju duam por nuk duam të flasim’. Njësoj si ‘Duam të martohemi por nuk duam të flasim’. Po si mund të martohesh kur nuk flet? Tani po flasim dhe kjo është më e rëndësishme. A do të martohemi një ditë? Jam i sigurt! Do të martohemi nesër? Nuk jam i sigurt, por e rëndësishme është që dashuria jonë për Europën dhe Bashkimin Europian është e pakushtëzuar. Kështu që edhe mund të kemi një lloj efekti çifti pa qenë të martuar.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65263 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE