Të paktën 55 viktima nga një shpërthim në Pakistan!
Sulm i përgjakshëm në Pakistan. Të paktën 55 persona mbetën të vrarë dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi, bënë të ditur autoritetet e këtij vendi. Shpërthimi ndodhi në afërsi të një xhamie në provincën jugperëndimore Baluçistan, sot në kohën kur njerëzit ishin mbledhur për ta festuar ditëlindjen e profetit Muhamed.
Policia dyshon se ka qenë një atentator vetëvrasës në mesin e besimtarëve në qytetin Mastung.
Zyrtarët kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërkaq, policia konfirmoi se viktimat janë duke u transportuar në dy spitale.
Ministri i Brendshëm, Sarfraz Bugri e ka konsideruar shpërthimin një “akt të urryer”.
Shumë pamje në rrjete sociale kanë shfaqur njerëzit e plagosur duke u transportuar nga shërbimet e urgjencës dhe banorët e zonës.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri tani.