Vrasja në Rrëshen, Rrumbullaku shkarkon zinxhirin komandues të Policisë në Lezhë e Mirditë

vovalbania September 29, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vrasja në Rrëshen, Rrumbullaku shkarkon zinxhirin komandues të Policisë në Lezhë e Mirditë

Vrasja në Rrëshen, ka shkaktuar “furtunë” në radhë e drejtuesve të Policisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka shkarkuar nga detyra zinxhirin komandues të Policisë në Lezhë dhe Mirditë. Vendimi është argumentuar se këta drejtues nuk e kanë trajtuar dhe analizuar siç duhet hasmërinë mes fisit Bardhi dhe anëtarëve të fiseve të tjera në Rrëshen. Që do të thotë se vrasja e Martin Markut (Bardhi) mund të ishte parandaluar.

Kështu, është shkarkuar nga detyra zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimeve në Lezhë, Alfred Nomani dhe në vendin e tij është emëruar Kryekomisar Gentian Berberi. Gjithashtu, është shkarkuar edhe shefi i Sektorit për Rendin dhe Sigurinë të Lezhës, Kryekomisar Artur Cara. “Koka iu pre” dhe shefit të Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisar Paulin Çupi. Në vendin e tij është emëruar Klodian Kondi, i cili më herët ka qenë në Pogradec.

Me argumentin se po bëhet për përmirësimin e punës së strukturave të Policisë së Shtetit, ndryshime ka pasur edhe në Komisariate të tjera. Lëvizje ka pasur në Komisariatin e Fierit, Beratit dhe Pogradecit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka firmosur një sërë urdhrash për emërime/shkarkime nga detyra, me qëllim dhënien e impulseve të reja forcës parandaluese, punës hetimore dhe forcës goditëse, ndaj krimit në përgjithsi dhe krimit të organizuar në veçanti.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:
•Lidhur me ngjarjen në qytetin e Rrëshenit, ku u vra një shtetas dhe u plagosën disa të tjerë, pas analizës së bërë lidhur me veprimtarinë e strukturave të Policisë së Shtetit, për ndjekjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për shkak të mostrajtimit/mosanalizimit të duhur të konflikteve ndërmjet fiseve në Rrëshen, Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur:

-shkarkimin nga detyra të zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve të DVP Lezhë Drejtues Alfred Nomani dhe emërimin në këtë detyrë të Kryekomisar Gentian Berberi;

-shkarkimin nga detyra të shefit të Sektorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, Kryekomisar Artur Cara;

-emërimin në detyrën e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, të Kryekomisar Altin Mena;

-shkarkimin nga detyra të shefit të Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisar Paulin Çupi dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Klodian Kondi.

•Gjithashtu, janë bërë edhe lëvizje të tjera, me qëllim përmirësimin e punës së strukturave të Policisë së Shtetit, konkretisht:

-është shkarkuar nga detyra e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve të DVP Fier Drejtues Artur Shira dhe është emëruar në këtë detyrë Komisar Arjan Hasani;

-është emëruar në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Berat Kryekomisar Ermir Gërxhani;

-është emëruar në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Pogradec Komisar Elton Halili.

Policia e Shtetit vijon të jetë maksimalisht e angazhuar, me të gjitha kapacitetet e saj, për përmbushjen e misionit madhor, atë të garantimit të rendit dhe sigurisë publike.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE