Japoni/ Rritet mbështetja për bazat amerikane mes tensioneve me Kinën!

vovalbania September 30, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Japoni/ Rritet mbështetja për bazat amerikane mes tensioneve me Kinën!

Prania e madhe ushtarake amerikane në ishujt japonezë të Okinavës ka shkaktuar prej kohësh tensione me banorët vendas.

Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, rritja e tensioneve me Kinën dhe agresioni rus në Ukrainë po ndikojnë tek ndryshimi i qëndrimit të banorëve vendas ndaj bazave amerikane në Japoni.

Rreth 30 mijë trupa amerikane janë të vendosura në Okinava. Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur një prani të madhe ushtarake atje që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kur forcat amerikane i pushtuan ishujt pas tre muaj luftimesh të ashpra. Bazat kanë qenë prej kohësh një burim tensioni me banorët vendas.

Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Yoko Shima, redaktore e gazetës “Ryukyu Shimpo”.

“Moshat 60 dhe 70 vjeçare ruajnë historitë që kanë mësuar nga prindërit e tyre për betejën e Okinavës. Shumë prej tyre kanë qenë të përfshirë në protesta kundër bazave në të kaluarën dhe vazhdojnë të jenë kundër tyre”.

Zhurma e avionëve, aksidentet rrugore dhe rreziku i perceptuar i sigurisë, ndikojnë tek kundërshtitë ndaj bazave. Përdhunimi i një vajze 12-vjeçare në vitin 1995 nga tre marinsa amerikanë shkaktoi protesta të mëdha.

Por ndjenjat duket se po ndryshojnë. Sondazhet sugjerojnë se shumica e banorëve besojnë se Okinava mban një barrë të padrejtë dhe Japonia kontinentale duhet të ketë më shumë baza amerikane. Sidoqoftë, të rinjtë kanë pikëpamje më pozitive.

“Megjithëse nuk ka mbështetje të madhe për bazat amerikane, të rinjtë mendojnë se nuk mund të bëhet asgjë për bazat ushtarake amerikane pasi ato tashmë ekzistojnë dhe se ato janë gjithashtu të nevojshme për mbrojtjen e Japonisë”, thotë për Zërin e Amerikës zonja Yoko Shima, redaktore e gazetës “Ryukyu Shimpo”.

Disa qindra kilometra në perëndim të Okinavës shtrihet Tajvani. Kina ka shtuar manovrat ushtarake rreth ishullit, duke rritur frikën se mund të nisë pushtimin. Japonezët kanë frikë se ishujt e tyre mund të përfshihen në një konflikt më të gjerë.

Në dhjetor, aeroplanmbajtësja kineze “Liaoning” kaloi përmes ngushticës “Miyako” në jug të ishullit kryesor të Okinavës. Zonja Aiko Shimajiri përfaqëson Okinavën veriore në parlamentin japonez.

“Kërcënimi i sigurisë nga Kina po bëhet më konkret”.

Agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar mendjet e njerëzve, thotë ligjvënësja Shimajiri.

“Është e paqartë nëse kjo situatë mund të ndodhë në Azi. Ka shumë njerëz në Okinavë që mendojnë, se meqenëse askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë, është e nevojshme të përgatitemi për një mundësi të tillë”.

Banorët në Okinavë që folën për Zërin e Amerikës ofruan pikëpamje të ndryshme për bazat amerikane.

“Nëse mbrohet paqja e Japonisë, unë mendoj se ato janë një gjë e mirë”, thotë Taro Kishimoto.

“Çështja e Tajvanit është problem. Kur shoh lajmet për luftën në Ukrainë, mendoj se të kesh fuqinë e ushtrisë amerikane është absolutisht e nevojshme”, thotë banori Katsufumi Nishime.

“Personalisht jam kundër dhe ruaj imazhe negative, sepse gjyshërit e mi e kanë përjetuar luftën. Do të isha më e lumtur pa bazat”, thotë banorja e Okinavës Ayako Yagi .

Historia e dhimbshme e Okinavës ndihet ende fuqishëm mes banorëve të saj. Gjeografia e vendos atë në vijën e parë të tensioneve gjeopolitike në rritje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65847 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE