Kudo rreth nesh, shkencëtarët zbulojnë mikroplastikë në re!
Shkencëtarët kanë gjetur ekzistencën e mikroplastikës edhe në re, duke argumentuar se ato mund të ndikojnë në formimin e tyre dhe klimat lokale në mbarë botën. Në hulumtimin e botuar në revistën “Environmental Chemistry Letters”, shkencëtarët japonezë u ngjitën në malin Fuji dhe malin Oyama për të mbledhur mostra uji nga mjegulla që mbulon majat dhe më pas aplikuan teknika të avancuara imazherie në mostrat për të përcaktuar vetitë fizike dhe kimike të tyre.
Ekipi hulumtues identifikoi nëntë lloje të ndryshme polimerësh dhe një lloj gome në mikroplastikën e ajrit, të cilat varionin në madhësi nga 7.1 në 94.6 mikrometra. Çdo litër uji i testuar përmbante midis 6.7 dhe 13.9 copë plastike. “Nëse ‘ndotja plastike e ajrit’ nuk trajtohet, ndryshimet klimatike dhe rreziqet ekologjike mund të bëhen realitet, duke shkaktuar dëme të pakthyeshme dhe serioze mjedisore në të ardhmen. Kur mikroplastikat arrijnë në atmosferën e sipërme dhe ekspozohen ndaj rrezatimit ultravjollcë nga rrezet e diellit, ato degradohen, duke kontribuar në gazrat serrë”-paralajmëron udhëheqësi i kërkimit Hiroshi Okochi nga Universiteti Waseda.
Ndërkaq, për herë të parë në zemrën e një njeriu është zbuluar përmbajtje mikroplastike e përdorur në paketimin e ushqimeve dhe bojëra. Grimcat, të cilat janë më pak se pesë milimetra të gjata i përkasin llojit të plastikës njëpërdorimshe, në këtë rast shishet dhe ambalazhet e ushqimit, që më pas lëshohen në ajër, ujë dhe ushqim. Ky zbulim u bë nga një ekip në Spitalin Anzhen të Pekinit në Kinë, i cili mblodhi mostra të indeve të zemrës nga 15 pacientë që i nënshtroheshin një operacioni në zemër, si dhe mostra gjaku të marra para dhe pas operacionit.