BE: Kosova ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë pa kushte!

vovalbania October 02, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
BE: Kosova ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë pa kushte!

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, tha se Policia e Kosovës ka mandat për të hetuar sulmet që i janë bërë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ndërsa Serbia e ka detyrim të bashkëpunojë, pa kushte. Këto deklarata i bëri teksa u pyet për dëshmitë e fundit të publikuara nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë sulm.

BE-ja është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur dhe në bazë të tyre të marrin vendime vendet anëtare, përfshirë ndonjë masë të mundshme ndaj Serbisë.

I pyetur rreth përgjegjësisë që ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç për sulmin dhe a do të ndihmojë BE-ja që ai të ekstradohet në Kosovë, Stano tha vetëm se “blloku europian pret bashkëpunim të plotë, transparent dhe pa kushte nga Serbia”, që të sqarohet jo vetëm se kush e ka përgatitur dhe kryer sulmin terrorist, por edhe kush qëndron pas tyre.

E kemi parë se çfarë ka thënë Radoiçiç. Të gjitha faktet duhet të verifikohen e të zbardhen. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. Ne nuk e bëjmë angazhimin tonë përmes mediave, por përmes kanaleve tona.

I pyetur për deklaratat e Beogradit se misioni EULEX, nuk është lejuar të marrë pjesë në hetime, Stano theksoi se “EULEX-i nuk ka nevojë për zëdhënës që flet në emër të këtij misioni, por e ka zyrën e tij”.

Çdo ditë dalin dëshmi të reja. Nuk i komentojmë, por presim rezultate përfundimtare që i sqarojnë të gjitha rrethanat e sulmit terrorist. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. BE ka thënë qartë se jemi gati të vendosim masa edhe ndaj Serbisë, nëse vendet anëtare vlerësojnë se kanë dëshmi të mjaftueshme.

Zëdhënësi i BE-së nuk ka lënë asnjë dyshim se mandatin për ta hetuar rastin e Banjskës e kanë autoritetet e Kosovës.

Kjo ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe hetimet i bën Policia e Kosovës. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me të.

I pyetur nëse ka kuptim vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në këtë situatë, pasi në dhjetor edhe Serbia mund të shkojë në zgjedhje, zëdhënësi i Unionit u shpreh se BE-ja dhe partnerët e saj shohin vazhdimin e dialogut si mënyrën e vetme për t’i zgjidhur problemet.

Gjithmonë ka cikle të zgjedhjeve. Por, duhet të rifillojmë dialogun sepse është rruga e vetme për normalizim të raporteve. Sikur të kishte normalizim, nuk do të kishim situatën që kemi. Prandaj bëjmë thirrje nga BE-ja dhe partnerët që palët t’i kthehen dialogut.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65686 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE