Kurti: Me sulmin e Banjskës u tentua aneksimi i veriut të Kosovës!

vovalbania October 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kurti: Me sulmin e Banjskës u tentua aneksimi i veriut të Kosovës!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ritheksoi qëndrimin e shprehur një ditë më parë nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla se sulmi terrorist i Banjskës, më 24 shtator ishte plan për aneksimin e veriut. Në një postim shkruan:

Bazuar në dokumentacionin e konfiskuar, Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të koordinuar në 37 pozicione. Krijimi i një korridori për në Serbi do të vinte më pas, për të mundësuar furnizimin me armë e trupa.

Me kërkesë të KFOR-it, Britania e Madhe do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, pas sulmit vdekjeprurës ndaj policisë më 24 shtator, në veri. Ditët në vijim, Ministria britanike e Mbrojtjes do të zhvendosë rreth 200 forca shtesë në kontigjentin me aktualisht 400 ushtarë britanikë në Kosovë.

Kjo njësi e ushtrisë britanike do t’i bashkohet forcës së NATO-s në Kosovë, pas një kërkese specifike nga komandanti suprem i Aleancës për Europën, SACEUR, gjenerali amerikan Chris Cavoli.

Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në Banjskë, në komunën e Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Pasi në një pritë sulmuan një patrullë të policisë dhe vijuan konfrontimin me policinë, sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit. Tre prej tyre u vranë. Policia e Kosovës gjeti e konfiskoi një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në Banjskë dhe përreth fshatit.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se kanë mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.

Mbi 90 persona morën pjesë në sulmin kundër Policisë së Kosovës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65211 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE