Para vizitës në Tiranë, kryediplomatja gjermane Baerbock: Situata në Ballkan, shqetësuese!
Shqipëria ndodhet në përgatitjet e fundit të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, që për herë të parë zhvillohet në Tiranë, jashtë kufijve të BE-së. Kryeministri Rama sjell në vëmendje këtë ngjarje të rëndësishme me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit. Rama tha se konfirmuan praninë Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë, Presidentja e Komisionit Europian, si edhe një sërë kryeministrash të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Në kuadër të këtij samiti, javët e fundit, në Tiranë janë mbajtur disa ministeriale përgatitore. Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Europian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces. Ato janë Gjermania, Franca, Austria, Kroacia, Italia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në kohën e rritjes së tensioneve Kosovë-Serbi, sot ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock udhëton drejt vendit tonë ndërsa deklaroi se “situata në rajonin e Ballkanit është shqetësuese”. Takimet në Shqipëri do të mbahen në kuadër të “Procesit të Berlinit”, i prezantuar më 2014-ën për të promovuar bashkëpunim mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në prag të një takimi me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, kryediplomatja gjermane Baerbock do të bisedojë me liderët e Kosovës e Serbisë, si dhe do të vazhdojë t’iu bëjë thirrje palëve të ulin tensionet. Zyrtarja e lartë u shpreh se Serbia ka për detyrë të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna. Sipas saj, shenjat fillestare që ushtria serbe e ka zvogëluar prezencën në kufi me Kosovën përbëjnë hap fillestar të rëndësishëm, por se duhen marrë hapa shtesë drejt uljes së tensioneve.
Në Berlin, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes bëri të ditur se për momentin nuk ekzistojnë plane për rritje të numrit të ushtarëve gjermanë, të angazhuar në Kosovë, në kuadër të misionit të NATO-s atje, KFOR. Në kuadër të KFOR-it, aktualisht janë të angazhuar 71 trupa të Gjermanisë.