Shqiptarët, të dytët në botë për kthimet e emigrantëve të parregullt nga vendet e BE-së!
Edhe këtë vit vijojnë të larta kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Europian nga shtetasit shqiptarë, por jo në nivelet e 2022-shit. Një pjesë e madhe po urdhërohen të kthehen në vendin e origjinës.
Eurostat bëri të ditur se në tremujorin e dytë të vitit 2023, 105 865 qytetarë jo të BE-së u urdhëruan të largoheshin nga një vend i Bashkimit Europian dhe gjithsej 26 600 u kthyen në një vend tjetër pas një urdhri për t’u larguar.
Shetasit shqiptarë renditen të dytët nga vendet e gjithë botës që janë kthyer pas urdhrit për t’u larguar.
Sipas Eurostat-it, Gjeorgjia (9%) përbënte shumicën e të kthyerve, e ndjekur nga Shqipëria (8%), Moldavia (5%), Turqia (5%) dhe India (4%).
Në total, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, numri i shtetasve jo-BE të urdhëruar të largohen u rrit me 9%, ndërsa numri i njerëzve të kthyer në një vend tjetër u rrit me 29%.
Në krahasim me tremujorin paraardhës të këtij viti, numri i urdhër-largimeve është ulur me 5%, ndërsa kthimet kanë mbetur në vendnumëro.
Shumica e atyre që janë urdhëruar të largohen nga BE-ja kthehen në vendet jashtë Bashkimit Europian. E njëjta situatë është edhe në tremujorin e dytë të vitit 2023, ku 76% e individëve u kthyen në vendet jashtë Unionit.
Marokenët dhe algjerianët përbënin pjesën më të madhe të atyre që u urdhëruan të largoheshin nga territori i BE-së në tremujorin e dytë të 2023 (8% secili), të ndjekur nga qytetarët e Turqisë (5%), Gjeorgjisë (5%) dhe Afganistanit (4%).
Të dhënat sipas shteteve: Franca kishte numrin më të madh të urdhrave për t’u larguar nga qytetarët me shtetësi nga një vend jashtë BE-së, të ndjekur nga Gjermania (10 600) dhe Greqia (7 095).
Për vitin 2022, në total kishte 13 mijë e 200 aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, niveli më i lartë që nga 2020-ta. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.
Për gjithë 6 mujorin e këtij viti, aplikimet për azil kanë qenë më të ulëta, duke arritur në 3,535, shifër që është 28% më e ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.