Sulmet me raketa të Hamasit, ushtria izraelite shpall gjendjen e luftës/Tirana zyrtare: Nuk ka shqiptarë të lënduar!
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke ndjekur nga afër situatën e tensionuar në Izrael. Sipas të dhënave deri më tani nuk ka asnjë shtetas shqiptar të lënduar nga këto sulme.
Të gjithë qytetarët shqiptarë në Izrael, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të kontaktojnë për çdo rast me Ambasadën Shqiptare 🇦🇱 në Izrael në numrin e kontaktit: +972 54-4806601.
Ushtria izraelite shpall gjendjen e luftës pas sulmeve masive palestineze të mëngjesit të sotëm ndaj Izraelit, nga Rripi i Gazës. Organizata militante palestineze Hamas nisi goditjet me qindra raketa, si edhe me infiltrimin e luftëtarëve të armatosur nga Rripi i Gazës për në territorin e Izraelit.
Izraeli që reagoi menjëherë u kundërpërgjigj dhe ka bombarduar Gazën. Duke cituar burime nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, rrjeti amerikan CNN raporton:
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant janë duke kryer vlerësime të sigurisë në selinë e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Tel Aviv.
Gaza është një nga vendet më të populluara në botë, një enklavë e izoluar bregdetare me pothuajse 2 milion njerëz të cilët qëndrojnë të grumbulluar në 140 milje katrorë.
I qeverisur nga Hamasi, prej vitit 2007, territori i Gazës është kryesisht i shkëputur nga pjesa tjetër e botës për shkak të një bllokade izraelite nga toka, ajri dhe deti. Bllokada synon të pengojë trafikun e armëve. Egjipti kontrollon pikën kufitare jugore të Gazës, Rafah. Izraeli ka vendosur kufizime të rënda në lirinë e lëvizjes civile dhe kontrollon importin e mallrave bazë në brezin e ngushtë bregdetar.
Shefi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif, ka deklaruar fillimin e një “operacioni ushtarak” kundër Izraelit, pas një breshërie sulmesh me raketa nga Rripi i Gazës.
Qëllimi i operacionit Al-Aksa Flood është t’i japë fund shkeljeve izraelite!
Një grua është vrarë dhe 15 persona janë plagosur në sulmet masive me raketa nga Rripi i Gazës që nisën sot në mëngjes, duke ndezur sirenat paralajmëruese në disa qytete anembanë vendit.
Sulmi masiv nga Rripi i Gazës ishte i befasishëm. Situata qe përshkallëzuar sërish kohët e fundit, veçanërisht në Bregun Perëndimor të pushtuar. Që nga e enjtja e kësaj jave, katër palestinezë kanë gjetur vdekjen në sulmet e tyre ose në konfrontime me ushtrinë.