Amerika çon luftanije dhe avionë luftarakë pranë Izraelit, pas sulmit nga Hamasi!
Në një njoftim të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë të ditur se do të dërgojnë një aeroplanmbajtëse moderne, luftanije e avionë luftarakë në lindje të Detit Mesdhe, si dhe se do të japin pajisje e municion shtesë për Izraelin.
Ky vendim amerikan vjen pas sulmit nga grupi militant palestinez Hamas në jug të Izraelit, të cilin presidenti amerikan Joe Biden e quajti “të paprecedent” e “të tmerrshëm”. Izraeli thotë se më shumë se 700 persona janë vranë dhe 100 të tjerë janë rrëmbyer nga anëtarë të Hamasit.
Në Gaza, mbi 400 vetë mbetën të vrarë pas bombardimeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli, referuar zyrtarëve palestinezë.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin bëri të ditur se aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford, një luftanije dhe katër shkatërrues raketorë janë nisur për në Izrael. Do të dërgohen edhe avionë luftarakë amerikanë.
Shtëpia e Bardhë tha se ditët në vijim do t’i dërgojë ndihma shtesë ushtarake Izraelit.
Amerika po punon për t’u siguruar se armiqtë e Izraelit nuk do të mund të kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë.
USS Gerald R.Ford, aeroplanmbajtësja më moderne dhe më e përparuar e marinës amerikane me rreth 5 mijë marinarë e avionë luftarakë që shoqërohen nga luftanije e shkatërrues kanë për qëllim të jenë të gatshëm për t’u përgjigjur ndaj çdo situate, përfshirë parandalimin e dërgimit të armatimit shtesë Hamasit, si dhe vëzhgimin.
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, shprehu mbështetjen e tij për sulmin e Hamasit, duke thënë se Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për rrezikimin e rajonit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë parë dëshmi të përfshirjes së drejtpërdrejt të Iranit, por vuri në dukje se Irani e ka ndihmuar grupit me bazë në Gaza për shumë vite.
Hamasi nuk do të ishte Hamasi pa përkrahjen që e ka marrë ndër vite nga Irani. Ne nuk kemi parë prova se Irani është i përfshirë në këtë sulm të caktuar, por mbështetja e tyre ndër vite është e qartë. Në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Irani e mohoi përfshirjen në sulmin kundër Izraelit, sipas agjencisë Reuters.