Blinken-Netanyahut: Jemi këtu, nuk ju braktisim!
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken shkoi në Jerusalem ku takoi kryeministrin izraeli Netanyahu për t’i shprehur mbështetje duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do t’i braktisin.
Jemi këtu, nuk shkojmë asgjëkundi. Më vjen keq, më vjen keq dhe ngushëllime për viktimat!
Shefi i qeverisë izraelite, Netanyahu vazhdimisht shtrëngoi duart me zyrtarin e lartë të Uashingtonit, të cilin e falënderoi për solidaritetin amerikan. Nesër, Blinken do të takojë presidentin e Autoritetit Palestinez, Abu Mazen.
Në Gaza ka shkuar në 1 mijë e 385 numri i viktimave palestineze të sulmeve të Izraelit dhe në më shumë se 6 mijë i të plagosurve. Në Izrael kanë humbur jetën të paktën 1 mijë e 300 vetë e numërohen rreth 3 mijë e 300 të lënduar, disa prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.
Hamas konfirmon se mban mbi 120 pengje izraelitë ndërsa Izraeli paralajmëron se për aq kohë sa nuk do të lirohen, Gaza do të mbetet pa ujë, energji elektrike e karburante. Po ashtu, kujtojmë se Izraeli është shprehur gati për të ndërmarrë ofensivën tokësore në territorin nga ku u sulmua më 7 tetor prej militantëve të Hamasit, por dritën jeshile duhet ta japin liderët politikë që ende nuk kanë dalë me një vendim përfundimtar.
Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan urdhëroi negociata për të ndihmuar në sigurimin e lirimit të pengjeve civile izraelite të rrëmbyer nga militantët e Hamasit. Natyra e bisedimeve e nëse Hamasi dhe zyrtarët izraelitë janë të përfshirë nuk është menjëherë e qartë. Një burim presidencial bëri një përgënjeshtrim duke deklaruar:
Janë të rreme raportet e mëparshme se zyrtarët turq takuan përfaqësues të Hamasit në kryeqytetin Ankara për negociata.
Presidenti Erdogan njihet si një kritik i zëshëm i pushtimit izraelit të Territoreve Palestineze. Një ditë më parë, ai dënoi bombardimet izraelite të Rripit të Gazës si një “masakër” duke denoncuar edhe vrasjen e civilëve izraelitë.