Shqipëri-Çeki, Balla: Asnjë tolerim nëse cënohet siguria e ndeshjes/Duka: Uroj festë me rezultat!

vovalbania October 12, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Shqipëri-Çeki, Balla: Asnjë tolerim nëse cënohet siguria e ndeshjes/Duka: Uroj festë me rezultat!

Pak orë nga ndeshja Shqipëri-Çeki, ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi një takim me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit e të Policisë së Shtetit. Në fokus, masat për mbarëvajtjen e ndeshjes së rëndësishme për Kombëtaren shqiptare. Balla kërkoi të mos ketë asnjë tolerim që mund të cënojë sigurinë e takimit.

Janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun, duke nisur nga kontrolli i biletave që do të bëhet pa hyrë në stadium, kur bëhet kontrolli fizik edhe kontrolli me pajisje e cila verifikon vlefshmërinë e biletës. Policia ka marrë masat për të luftuar falsifikimin e biletave dhe kushdo që do tentojë do të ndiqet nga policia dhe prokuroria. Nisur nga ndeshja me Poloninë, Federata ka marrë vendime për të penguar disa persona të hyjnë në stadium, identitetet e tyre janë publike. Këto shembuj do të ndiqen dhe për ndeshjet e tjera sportive në vend. Nga FSHF na duhet që për personat që ka vendim gjykate, të përjashtohen nga eventet sportive.

Dua të jem i qartë me sportdashësit dhe tifo-grupet, nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike. Jemi duke studiuar që Policia të rimarrë sigurinë për ndeshjet e mëdha, për mbarëvajtjen e tyre në bashkëpunim me FSHF. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit. Të rritim vigjilencën para ndeshjes dhe gjatë kontrolleve. Do të kemi një numër rekord punonjësish policie të angazhuar për sigurinë publike.

Kërkoj mirëkuptimin e gjithë tifozëve, qytetarëve dhe atyre që vijnë nga jashtë Shqipërisë, si Presheva, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i zi, apo dhe diaspora, të kuptojnë që mbërritja në stadium të mos jetë orën e fundit, por të jetë e shtrirë në 3 orët që paraprinë eventin për të bërë verifikimet e duhura.  Jam shumë i sigurt që do shkojë mirë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku informoi mbi masat e detajuara, duke nisur nga kontrolli i ambienteve të brendshme të stadiumit. Policia do të marrë nën kontroll dyert e emergjencave.

Kreu i FSHF-së, Armand Duka u shpreh se policia apo Federata nuk mund t’ia dalin pa bashkëpunimin e atyre që do jenë në stadium.

Uroj të jetë festë me rezultat! Mbështetja e Policisë edhe në eventet e mëparshme në ndeshjen kundër Polonisë ka qenë e nivelit të lartë, e nivelit të mirë pavarësisht se kemi pasur ndonjë incident, por gjithsesi unë jam i sigurt se qoftë Policia, qoftë ne, nuk mund të bëjë asgjë nëse ne nuk kemi një bashkëpunim me ata që do të jenë në stadium, me spektatorët. Padyshim që i kam kërkuar dhe do t’i kërkoj spektatorëve që të jenë bashkëpunëtorë, që të na mbështesin, që të jenë pjesë e kësaj feste dhe uroj të jetë festë me rezultat dhe të mos bëjnë gjeste apo mos tentojnë të bëjnë gjeste që të rrisin stresin apo volumin e punës për Policinë.

Jam shumë i sigurt që do të kemi një event të mirë, duke parë kaq shumë mobilizim si asnjëherë tjetër dhe për këtë dua ta falënderoj Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe të gjithë të tjerët, të cilët jo vetëm sot, por gjatë gjithë kësaj periudhe, në periudhën mes dy ndeshjeve keni qenë në një bashkëpunim shumë të mirë edhe me oficerin e Sigurisë së FSHF, me kompaninë e sigurisë, gjithë administratën dhe drejtorin e stadiumit.

Uroj që vërtetë të kthehet në festë, të mos kemi asnjë incident. Ne dhe ju po i bëjmë të gjitha dhe desha t’ju falënderoj edhe një herë për këtë që të mos kemi asnjë incident. Sepse në fund të fundit qëllimi juaj dhe qëllimi jonë është që t’i krijojmë kushte sa më të mira atyre që do të jenë në stadium, spektatorëve, futbollistëve, medias dhe të gjithë bashkë kontribuojmë për të pasur një event fantastik dhe performancë shumë të mirë të ekipet, sepse e gjithë Shqipëria e pret këtë ndeshje me padurim, e pret për një rezultat padurim. Uroj që edhe rezultati t’i përgjigjet mobilizimit tuaj, mobilizimit të skuadrës, të gjithë Shqipërisë dhe uroj që të festojmë, të festojmë pa asnjë incident.

Ministri shtoi se edhe nëse ka një rast me flakadan në stadium, publiku duhet të kuptojë që ndeshja e radhës më 20 nëntor do të zhvillohet në gjysmë apo fare pa tifozë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65818 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE