10 herë më i fuqishëm se 50 vite më parë, e kemi fjalën për kanabisin!
Përmbajtja e THC në kanabis është rritur ndjeshëm që nga vitet 1970 dhe efektet anësore janë më të shpeshta dhe më të rrezikshme, veçanërisht në adoleshencë. Në këtë përfudnim ka arritur një studim i botuar në “New Scientist”, sipas të cilit gjatë 50 viteve të fundit, përmbajtja e THC (delta-9-tetrahydrocannabinol, një substancë psikotrope) në kanabis është rritur më shumë se 10 herë. Një tjetër studim që vlerëson fuqinë e marijuanës në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Francë, Danimarkë dhe Zelandën e Re zbuloi se përqendrimet e THC në lulëzimin e tharë të bimëve të kanabisit u rritën me 0.29% në vit nga 1970 në 2017.
Një nga arsyet është se me kalimin e viteve, varietete gjithnjë e më të fuqishme të bimës janë marrë në kultivimin e kanabisit falë teknikave të sofistikuara të kultivimit selektiv. Këto versione me THC të lartë janë gjithnjë e më të njohura. Për shembull Cannabis sinsemilla, bima femërore e pafertilizuar dhe pa fara e kanabisit, mund të përmbajë deri në dyfishin e sasisë së THC në lulëzimin e saj.
Një faktor tjetër që duhet marrë në konsideratë është se mënyra se si e konsumojmë kanabisin ka ndryshuar. Ndërsa pirja e sythave të thara mbetet qasja më e popullarizuar, ushqimet, ekstraktet ose avujt janë gjithnjë e më të popullarizuar dhe të lehtë për t’u aksesuar dhe ato kanë më shumë gjasa të kenë nivele shumë të përqendruara të THC. Nivelet më të larta të THC shoqërohen me efekte anësore si të përzjera, të vjella, rrahje zemre jonormale dhe paranojë.