Maratona e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj: Mbi 3 mijë pjesëmarrës nga 43 shtete!

vovalbania October 14, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Maratona e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj: Mbi 3 mijë pjesëmarrës nga 43 shtete!

Tirana është gati për të mirëpritur rreth 3 mijë vrapues nga 43 vende të botës, në edicionin e 7-të Maratonës më 22 tetor. Për të koordinuar detajet e fundit, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët dhe vullnetarët. Veliaj tha se ashtu si çdo vit, Maratona e Tiranës do të jetë një festë sportive, jo vetëm për garuesit, por edhe për qytetarët e Tiranës, sidomos këtë herë që Tirana mban titullin “Qyteti Evropian i Sportit 2023”.

Kemi pasur disa edicione fantastike, por steka rritet çdo vit. Tani na duhet një performancë jashtëzakonisht serioze, sidomos kur shoh që do të marrin pjesë vrapues nga 43 shtete të botës. Deri tani kemi 3 mijë regjistrime në total, me pjesëmarrës nga Shqipëria, Algjeria, Australia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnja, Kanadaja, Kroacia, Kolumbia etj. Do të kemi edhe nga miqtë tanë çekë, që ndoshta rikthehen për të kapur një medalje, pas humbjes në futboll. Do të kemi edhe vrapues nga Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Indonezia, Irlanda dhe Izraeli, të cilët do të vijnë pavarësisht situatës shumë kritike atje. Gjithashtu kemi dashamirës të sportit nga Italia, Kenia, patjetër nga Kosova, Letonia, Lituania, Maqedonia, Mali i Zi, Vendet e Ulëta, Norvegjia etj. Pra, 600 nga 3 mijë pjesëmarrës, janë të huaj.

Veliaj e vuri theksin te mbarëvajtja e Maratonës, me fokus te sinjalistika shpjeguese e deri te mirëkuptimi nga ana e qytetarëve të Tiranës për bllokimin e disa rrugëve në kryeqytet.

I ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të përshëndesin vrapuesit, por nëse munden, le të shmangin daljet me makina. Sigurisht, mund të ketë ende nga ata cinikët, që thonë ‘ç’na duhet maratona ne’. Përgjigjja për secilin nga ata që e bën këtë pyetje është: Sa të vlen shtëpia sot? A vlen njësoj si para 7 vitesh? Një nga arsyet pse të rritet vlera e shtëpisë, është se këto aktivitete krijojnë më shumë reputacion për vendin tonë, dhe kur ndodhin pa incidente, vendi ngrihet gjithmonë e më lart, edhe në qytet gjithnjë e më shumë ka vlerë prona, ka vlerë ekonomia.

Si çdo vit, garës së Maratonës së Tiranës do i paraprijë “Fun Run” ku vrapohet për qejf dhe pjesëmarrës janë të rinjtë e qytetit.

Këtë vit kemi një çmim goxha të lartë: Vendi i parë do të marrë 5 mijë euro, vendi i dytë 3 mijë euro dhe vendi i tretë 2 mijë euro, njësoj si për femra, edhe për meshkuj. Kjo është një nga arsyet pse tërheqim shumë ekipe, që vijnë nga vende të ndryshme, që janë profesionistë dhe synojnë të marrim premion ose të thyejnë rekordet e tyre personale ose kombëtare. Një ditë përpara do të realizojmë garën ‘Fun Run’, një garë për të gjithë, sepse inkurajimi që i kemi bërë këtë vit klasave sportive, me shumë prej palestrave që i kemi vënë në dispozicion të shoqatave sportive, – siç është një histori suksesi pista e atletikës te Parku i Liqenit, – ka sjellë një numër rekord të regjistrimit të fëmijëve në shoqatat sportive. Duam shumë që ta inkurajojmë këtë frymë, ndaj për çunat edhe gocat e Tiranës, që ndoshta nuk e bëjnë dot vrapin profesionist, mund të marrin pjesë në garën ‘Fun Run’. Deri tani kemi regjistruar 2 mijë të rinj, nga shumica e shkollave të Tiranës, dhe besoj që do të jetë një kartolinë e bukur për t’i paraprirë maratonës së madhe në datë 22 Tetor.

Kryebashkiaku bëri me dije se do ketë devijim të disa linjave të urbaneve në Tiranë, gjë për të cilën kërkoi mirëkuptim nga qytetarët, ndërsa tha se në ditët në vijim do bëhet me dije për cilat linja bëhet fjalë dhe sa do zgjasë bllokimi dhe devijimi.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65784 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE