Sulm terrorist me një të vrarë e dy të plagosur, Franca ngre nivelin e alarmit!
Sulm terrorist në Francën e Veriut, vritet një mësues gjimnazi e plagosen rëndë dy persona në Arras. Një shtetas me origjinë çeçene dhe i skeduar më parë për radikalizim u arrestua nga policia bashkë me tre të tjerë. Eshtë fjala për një ish-nxënës të shkollës ku synoi një masakër, por u ndalua nga profesori, i cili mbeti viktimë i goditjes me thikë. Agresori thërriti: “Allahu Akbar” përpara se të kryente sulmin. Në Francë u ngrit niveli i alarmit dhe hetimet po i kryen prokuroria Antiterror.
Shërbimi sekret francez tha se i dyshuari mbahej nën vëzhgim. Dy ditë më parë u arrestua për një kontroll policor, por nuk iu gjetën shkelje. Mes të arrestuarve është edhe vëllai i tij 16-vjeçar e dy të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.
Vëllai i madh dhe propaganda pro-ISIS
Eshtë veçanërisht shqetësues profili i familjes së Mohammed Mogouchkovit (emri i agresorit). Babai, nëna dhe pesë fëmijët janë në Francë, por kurrë nuk kanë marrë dokumente të rregullta apo shtetësi franceze. Babai u dëbua vite më parë në Rusi, nëna dhe fëmijët jetojnë në një qendër pritjeje pasi disa organizata humanitare kundërshtuan dëbimin e të gjithë familjes në vitin 2014.
Djali i madh Mosvar është në burg që nga viti 2019, i përfshirë në një sulm të planifikuar. Në vitin 2023 u dënua me 5 vjet për moskallëzim krimi. Roli i tij do të ishte të regjistronte një video të aksionit të planifikuar dhe më pas ta shpërndante në internet. Mosvar përhapte përmbajtje të dhunshme propagandistike të ISIS-it në X.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron vlerësoi gjestin e mësuesit të vrarë, Dominique Bernard. Babai i tre vajzave studente, i martuar me një kolege britanike, humbi jetën në sy të nxënësve të tij në oborrin e shkollës ku jepte mësim.