Tensionet Kosovë-Serbi, në vëmendje të Samitit të Procesit të Berlinit!
Shqetësimi i BE-së për situatën Kosovë-Serbisë, pjesë e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, që ka bërë bashkë liderë të vendeve të Unionit e të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të Brukselit zyrtar. Numri një i Këshillit Europian, Charles Michel deklaroi:
S’mund të lëmë konfliktet dypalëshe të na mbajnë peng. Tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë e kanë sjellë sërish këtë në plan të parë. Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Kjo kërkon kurajo politike, me fokus te e ardhmja. Kjo do të jetë fryma e samitit të ardhshëm që do të mbahet në Bruksel.
Po për këtë çështje, kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha:
Ne kërkojmë të shtensionohet situata. Kam folur me presidentin Vuçiç pak javë më parë. Sot kam mundësi të flas me kryeministren e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës. Shpresojmë që të gjithë të kontribuojmë në shtensionim.
Ndërkaq, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha se me homologun Rama do të bisedojë për çështjen “Beleri”.
Nuk kam ndërmend të ndërhyj në çështjet e drejtësisë shqiptare, por Fredi Beleri ka të drejtën të betohet ndonëse ndodhet në paraburgim dhe këtë do ta bëj shumë të qartë.
Fredi Beleri ndodhet në paraburgim pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, i akuzuar për blerje votash. Ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës dhe po vijon kërkesat në gjykatë për të kërkuar leje për të dalë nga burgu për të kryer betimin. Kjo kërkesë deri më tani i është refuzuar nga gjykata.
Çështja e Belerit shpesh ka shkaktuar përplasje mes Ramës dhe zyrtarëve grekë. Kryeministri shqiptar ka thënë se kjo çështje nuk i takon politikës, por drejtësisë.
Hera e parë që një takim i procesit të Berlinit organizohet jashtë kufijve të BE-së. Hapja zyrtare e samitit u bë me fjalimet e kryeministrit Edi Rama, shefes së KE-së, Ursula von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel.
Sesioni i parë kishte në fokus integrimin e rajonit në tregun e përbashkët europian e përmirësimin e konvergjencës me BE-në. Ky sesion pasohet nga një drekë pune ku diskutohet për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe çështjet dypalëshe: “Drejt një paradigme të re evropiane”. Mes diskutimeve, tensionet Kosovë-Serbi.