Miqësorja në “Air Albania”, Shqipëria pret Bullgarinë!
Sonte në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, Shqipëria luan një sfidë miqësore ndaj Bullgarisë, të parën në epokën Sylvinho. Deri më tani, braziliani ka drejtuar Kombëtaren Kuqezi vetëm në ndeshjet zyrtare të kualifikueseve për “Euro 2024”-ën duke arritur një bilanc tejet pozitiv me katër fitore, një barazim dhe një humbje.
Ndaj Bullgarisë, kjo e sotmja mund të konsiderohet edhe si ndeshja e parë pa shumë stres e Sylvinhos në krye të Shqipërisë. Për vetë rezultatet e fundit, kuqezinjtë do të jenë më të relaksuar në fushë, sidomos pas triumfit me Republikën Çeke që i afroi jashtë mase me kualifikimin në Europianin e vitit 2024 në Gjermani.
Ndaj Bullgarisë, trajneri Sylvinho do t’i japë një shans lojtarëve që kanë marrë më pak minuta në ndeshjet kualifikuese, teksa rotacioni i gjerë pritet të përfshijë 11-tëshen e parë. Nga porta në sulm, tifozët do të kenë mundësinë të shohin edhe linjën e dytë të kombëtares që duhet theksuar se ka një organikë shumë të pasur e secili prej tyre mund të konsiderohet titullar.
Nga ana tjetër, Bullgaria nuk është në një moment të mirë, madje nuk fitojnë prej një viti, nga nëntori i vitit të kaluar në një ndeshje ndaj Qipros (2-0) në një miqësore. Që nga ajo kohë, skuadra e drejtuar nga serbi Mladen Krstajic, në tetë ndeshje të luajtura ka regjistruar tre barazime dhe pesë humbje.
E fundit ishte të dielën që kaloi kur u mundën 0-2 në shtëpi nga Lituania në ndeshjet kualifikuese të Europianit e në Grupin G ndodhen në vendin e fundit me vetëm dy pikë, pa as edhe një shans kualifikimi. Kështu, duket se Shqipëria ka shansin për të fituar një tjetër sfidë e për të ruajtur një ecuri fantastike duke thyer të tjera rekorde nën drejtimin e Sylvinhos. Shqipëri-Bullgari, vjen live në SuperSport 2, duke nisur prej orës 18:00 të kësaj të marte.