Paqja në Tokën e Shenjtë, Kisha Katolike Shqiptare bën thirrje për agjërim e lutje!

vovalbania October 17, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Paqja në Tokën e Shenjtë, Kisha Katolike Shqiptare bën thirrje për agjërim e lutje!

Ditën e sotme, Kisha Katolike Shqiptare ia kushton situatës aktuale në Tokën e Shenjtë, duke iu bërë thirrje besimtarëve që këtë të martë të agjërojnë e të luten për paqen mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Në ditën e lutjes e të agjërimit për paqen, edhe katolikët shqiptarë ftohen nga ipeshkvijtë e tyre të bashkojnë duart në lutje me besimtarët e gjithë botës për t’i kërkuar Zotit të ulen armët e të kthehet qetësia në vendet ku jetoi, vdiq e u ringjall Krishti.

Ndërsa në Shkodër kremtohet pajtorja qiellore e qytetit dhe e gjithë Shqipërisë, Zoja e Shkodrës, e gjithë Kisha Katolike në Shqipëri përgatitet të bashkohet me besimtarët e mbarë botës për ditën e lutjes dhe të agjërimit, gjatë së cilës do t’i kërkohet Zotit të dikojë paqen në Tokën e  Shenjtë. Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë deklaron:

Kurrë më tepër se tani nuk ndihet nevoja për t’i bashkuar duart e për t’u gjunjëzuar në lutje para Hyjit të Gjithpushtetshëm që t’ia kthejë rrjedhën ngjarjeve të fundit, të cilat s’premtojnë aspak për mirë.

Në këtë mënyrë, Konferenca Ipeshkvore i bashkohet nismës së Patriarkatit latin të Tokës së Shenjtë dhe besimtarëve katolikë të të gjithë botës.

Pavarësisht apeleve, lufta Hamas-Izrael vazhdon me sulme të reja në Gaza. 54 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë dhe dhjetëra u plagosën gjatë natës. Kryeministri izraelit Netanyahu bisedoi në telefon me presidentin rus Putin dhe i tha se shkojnë përpara derisa Hamasi të shkatërrohet.

Presidenti amerikan Joe Biden nesër udhëton për në Izrael e do të takohet me Benjamin Netanyahun, duke u ndalur gjithashtu në Jordani, ku do të pritet nga Mbreti Abdullah. Po ashtu do të ketë bisedime me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Abu Mazen. Ndërkaq, janë zgjedhur 2 mijë ushtarët amerikanë që po përgatiten të mbështesin Izraelin.

OBSH kërkon që brenda 24 orëve, ndihma të shkojë në Gaza ose do të ketë katastrofë. Të huajt dhe palestinezët me shtetësi të huaj mund të dalin nga Gaza përmes vendkalimit të Rafahut me Egjiptin. Ushtria izraelite njofton se kreu i inteligjencës dhe ai i këshillit politik të Hamasit u vranë. Ndërkaq, numri një i Shin Betit, sigurisë së brendshme izraelite, Ronen Bar, pranoi përgjegjësinë e tij për sulmin e pësuar më 7 tetor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65249 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE