Vizita historike në Tiranë, Macron: Tregues i riangazhimit të Francës në rajon/600 milion euro mbështetje për Shqipërinë përmes projektesh!
Nga Tirana, Emmanuel Macron deklaroi se vizita e tij tregon riangazhimin e Francës ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit. Në këtë vizitë të parë të një presidenti francez në vendin tonë e që nisi mbrëmë, Macron takoi presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa përfaqësues të dy qeverive firmosën disa marrëveshje. Shefi i Elizesë premtoi 600 milion euro mbështetje për Shqipërinë, përmes disa projekteve të përbashkëta.
Macron u shpreh:
Jam i lumtur që gjendem krah jush në një moment kaq delikat në Europë. Për Francën është formë riangazhimi ndaj jush dhe rajonit. Jam i bindur që vendi juaj është i ankoruar në Europë. Po hyjmë në erën e re të ribashkimit të kontinentit tonë. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pakthyeshme.
Presidentit Macron, kryeministri Rama i tha se “Shqipëria do të bëhet Europa e Ballkanit, edhe pse ende ka shumë për të bërë në lidhje me reformat që kërkohen”. Në konferencën për shtyp, shefi i qeverisë theksoi se “vendi nuk ka nevojë për korsi preferenciale në rrugën drejt BE-së”.
Detyrat duhet t’i bëjmë një nga një. Shqipërisë nuk i intereson një datë, pasi mbetet takim i parealizuar. E bëjmë këtë proces që të ndryshojmë historinë e vendit tonë e jo për të bindur Francën apo një shtet tjetër.
Presidenti Bajram Begaj falënderoi homologun Macron për kontributin në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi, veçanërisht përmes planit franko-gjerman. Ndërsa kërkoi mbështetje për dialogun, nënvizoi nevojën e dënimit e të dekurajimit të akteve të dhunës dhe të provokimeve në veri të Kosovës. Vizitën historike në Tiranë, presidenti Macron e nisi me akordimin e dekoratës së lartë të Republikës së Francës “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” për shkrimtarin e shquar, Ismail Kadare.
Në nder të kryetarit të shtetit francez, mbrëmë në Pallatin e Brigadave u shtrua një darkë, në kuadër të një ceremonie për t’i uruar mirëseardhjen.