“Gërdeci”/ Dëshmojnë 11 persona në GJKKO, seanca shtyhet më 27 tetor!
Në Gjykatën e Posaçme Anti Korrupsion u mbajt seanca e radhës për çështjen “Gërdeci”.
Këtë të hënë dëshmuan 11 persona, edhe pse u thirrën 15, ndërsa seanca u shty në datën 27 ora 12:00.
Ishte një listë prej 15 dëshmitarësh, të cilëve u dërgua ftesa për t’u dëgjuar sot në Gjykatën Anti Korrupsion.
Ishin dy avokatët mbrojtës të ish-ministrit Fatmir Mediu që u bënë pyetje në seancë, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Çifti Durda, Zamira dhe Feruzan Durda, prindërit e Erisonit që u vra nga shpërthimi i municioneve, 15 marsin e 2008 dëshmuan në seancë.
Zamira Durda kujtoi edhe njëherë momentet se si shpërtheu fabrika e demontimit dhe se si ajo e shqetësuar telefonoi bashkëshortin e saj dhe më pas u largua, teksa i biri kishte dalë të luante me shokët. Ajo kujtoi se fëmija ishte larguar disa herë për të çuar ushqim te të afërmit që punonin në fabrikën e demontimit.
Avokatët mbrojtës pyetën disa herë dëshmitarët nëse e kanë parë ndonjëherë ish-ministrin e Mbrojtjes në fabrikën e demontimit. Dëshmitarët u përgjigjet se nuk e kanë parë, ndërsa shtuan se predhat dhe municionet transportoheshin me forca ushtarake dhe kamion të ushtrisë.
Zamira Durda akuzoi se ky është një krim shtetëror dhe se djalin e vrau ushtria. Ajo i la gjykatësve në sallë dy fletore të djalit të saj të ndjerë dhe kujtoi se i biri kishte qenë për herë të fundit në shkollë në 13 mars 2008 dhe kërkoi që vendimi i gjykatës të shkruhej në këto fletore të mbetura në mes, ashtu si jeta e djalit të saj.
Një tjetër dëshmitare tha se në fabrikë nuk kishte rregulla, nuk kishte firmosur asnjë kontratë dhe paratë i merrte çdo dy javë. Ajo kujtoi se për t’u larguar nga fabrika pas shpërthimit, iu desh të shkelte mbi trupat e viktimave.