Lufta në Gaza, policia përleshet me protestuesit pranë Ambasadës Amerikane në Liban
Policia është përleshur me protestuesit gjatë demonstratave në Liban kundër sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës dhe kundër një shpërthimi vdekjeprurës në një spital atje, ku besohet se u vranë qindra njerëz.
Policia libaneze përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë protestuesit pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në periferi të kryeqytetit Bejrut.
Qindra njerëz protestuan nëpër një rrugë që çon drejt Ambasadës amerikane.
“Ne jemi të vetëdijshëm për protestat në Awkar në afërsi të Ambasadës. Fatkeqësisht, protestuesit e dhunshëm i dëmtuan pronat private në lagjen përreth Ambasadës, por stafi dhe personeli i Ambasadës është i sigurt dhe i padëmtuar”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane Jake Nelson.
Ai i falënderoi forcat e sigurisë së Libanit për reagimin e shpejtë për ta siguruar zonën.
Protestat në Liban dhe botën myslimane nisën të mërkurën pas një shpërthimi në një spital të Rripit të Gazës, si pasojë e të cilit u vranë qindra njerëz të martën mbrëma.
Grupi militant palestinez, Hamas, e ka fajësuar Izraelin për shpërthimin, në të cilin, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës u vranë rreth 500 njerëz.
Po ashtu, Shtetet e Bashkuara thanë se të dhënat dëshmojnë se Izraeli nuk është fajtor për shpërthimin.
“Derisa ne vazhdojmë të mbledhim të dhëna, vlerësimi ynë i tanishëm, bazuar në analizat pamjeve nga lart, përgjimet dhe informacionet nga burimet e hapura, është se Izraeli nuk është përgjegjës për shpërthimin në spitalin e Gazës dje”, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.