Veriu i Kosovës, hapet pikëkalimi i Jarinjës!

vovalbania October 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Veriu i Kosovës, hapet pikëkalimi i Jarinjës!

Hapet pikëkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë. Tashmë, qarkullimi vijon lirisht e nuk ka më pengesa për lëvizjen e njerëzve e gjithashtu të automjeteve. Ky pikëkalim qëndroi i mbyllur për rreth një muaj pas ngjarjeve tragjike të 24 shtatorit në veri e që kulmuan me sulmin ndaj policisë së Kosovës, si dhe vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.

Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo pikë kufitare u hap në orën 08:30 të ditës së sotme.

Pikëkalimi kufitar në Jarinjë, si edhe ai në Bërnjak që gjenden në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe u mbyllën pas atij që autoritetet në Prishtinë e cilësuan si sulm terrorist e akuzuan Beogradin, ndonëse Serbia mohon përfshirjen.

Bërnjaku u hap për hyrje/dalje më 4 tetor, ndërsa Jarinja ka qenë e bllokuar për hyrjet drejt territorit të Kosovës dhe ishte e hapur vetëm për daljet. Gjatë përleshjeve mes grupit të armatosur e policisë në Manastirin e Banjskës u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e asaj që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit e mori Milan Radoiçiç, i cili më pas dha dorëheqje si nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Bashkimi Europian kanë dënuar ashpër sulmin, ndërsa përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, kujtojmë se Kosova ka kërkuar hetim ndërkombëtar për Serbinë po lidhur me ngjarjet në Banjskë.

Nga Bashkimi Europian, Kosova po kërkon me insistim që të shkojë më tej e t’i vendosë Serbisë masa ndëshkuese. Ndërkaq, në bllokun europian bënë të ditur se janë duke pritur që të përfundojnë hetimet dhe më pas do të vendosin për masat e po ashtu të tjerë hapa të mundshëm.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE