Mahsa Amini e lëvizja e grave iraniane, fitojnë “Saharov 2023”!
Me çmimin “Saharov 2023” për lirinë e mendimit sot u vlerësua Mahsa Amini dhe lëvizja iraniane e protestës “Grua, jetë dhe liri”. Njoftimin e vendimit për vlerësimin më të lartë të Parlamentit Europian për të Drejtat e Njeriut, sot e dha kryetarja e tij, Roberta Metsola, në një seancë plenare në Strasburg.
Mahsa Amini ishte një e re vetëm 22-vjeçare kurdo-iraniane, e cila u arrestua nga e ashtuquajtura Policia e Moralit në Teheran, më 13 shtator të vitit të kaluar, e akuzuar për injorimin e ligjeve strikte për gratë iraniane lidhur me përdorimin e hixhabit.
Mahsa Amini mbylli sytë në një spital të Teheranit, tre ditë më vonë pas abuzimit fizik që pësoi gjatë paraburgimit. Vdekja e saj shkaktoi protesta masive, që u udhëhoqën nga gratë në Iran.
Me sloganin: “Grua, jetë dhe liri”, ato protestuan kundër ligjit të hixhabit e ligjeve të tjera që i quajnë “diskriminuese”.
Çmimi “Saharov” për Lirinë e Mendimit është themeluar në vitin 1988 për të nderuar individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e përfshin akordimin e një shume prej 50 mijë eurosh në vlerë monetare.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 13 dhjetor të këtij viti në mjediset e Parlamentit Europian në Strasburg.